Seanca e sotme e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti dhe zv/ kryeministrin Musa Xhaferi ndaj ish drejtorit të DSK-së, është anuluar me kërkesë të avokatëve të Slobodan Bogoevskit.
Në gjykim ishte prezent vetëm i akuzuari Bogoevski ndërsa akuzuesit Ahmeti dhe Xhaferi nuk erdhën dhe ishin të përfaqësuar nga avokatët e tyre. Gjykimi shkaktoi interes të madh në media ndërsa për shkak të sallës së ngushtë një pjesë e gazetarëve gjykimin e ndiqnin prej jashtë, para derës hyrëse e cila ishte lënë e hapur.
Avokatët e Bogoevskit para gjykatës theksuan se nuk janë respektuar afatet për dorëzimin e përgjigjes me shkrim nga i akuzuari lidhur me pohimet e padisë.
Sipas tyre, afati ka qenë të paktën 15 ditë ndërsa maksimum 30 ditë dhe ende nuk ka qenë i skaduar, për çka kërkuan nga gjykata të caktojnë 15 ditë shtesë që të mund të japin përgjigje ndaj padisë.
Kjo shkaktoi reagimin e avokatëve të Ahmetit dhe Xhaferit, të cilët theksuan se Bogoevski sipas procedurë e ka marrë padinë më 7 tetor dhe ka angazhuar avokatë që kanë shqyrtuar lëndën.
“Arsyetimi se nuk ka pasur ftesë nga gjykata për përgjigje me shkrim është joserioz” tha avokatja e Ahmetit.
Gjykatësi pranoi kërkesën e avokatëve të Bogoevskit dhe seanca e radhës është caktuar për 27 janar vitin e ardhshëm.
Ndryshe, në Gjykatën Themelore Shkupi 2 zhvillohen dy lëndë ku Ahmeti dhe Xhaferi padisin Bogoevskin për pohimet e nxjerra në dëshminë para organeve amerikane për rastin “Magjar Telekom”.
Ahmeti kërkon dëmshpërblim nga Bogoevski prej 3 milionë denarë ndërsa Xhaferi 2,5 milionë denarë.
Bogoevski pas përfundimit të seancës së sotme deklaroi se synimi i këtij procesi ndaj tij është që Ahmeti dhe Xhaferi të formojnë padi që më pas do ta shfrytëzonin në procedurën që zhvillohet para organeve të drejtësisë në SHBA dhe në prokurorinë tonë për krim të organizuar.
Bogoevski gjithashtu theksoi se padia ndaj tij është ndikim ndaj dëshmitarit në procedurë që tanimë është hapur dhe paraqet vepër penale. Ndryshe, padia ndaj Bogoevskit është ngritur në dhjetor vitin e kaluar.
Ai dhe avokatët e tij përmendën se fakti që procesi gjyqësor ndaj tij është caktuar para zgjedhjeve është tentativë që paditësit të nxjerrin ndonjë dobi parazgjedhore dhe në gjendjen aktuale politike.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve kur do të ketë epilog nga procedura që zhvillohet në SHBA për rastin “Magjar Telekom”, Bogoevski tha se kjo do të jetë fillimi i majit vitin e ardhshëm, duke shtuar se deri atëherë ai nuk do të nxjerr kurrfarë detajesh rreth dëshmimit të tij para organeve amerikane.