Fatos Nano do të formojë parti të re politike

Fatos Nano ka vendosur të rikthehet sërish në politikë. Lajmin e ka përcjellë sot gazeta “shqiptarja.com”, ku sipas saj, ai do të krijojë një parti të re, ku do të mbledhë të pakënaqurit me Edi Ramën.

Ajo shkruan se një prej të pakënaqurve që pritet të bashkohet me partinë e Nanos është edhe Ben Blushi, ndërsa përmend edhe emrat e Arben Malajt apo Rexhep Meidanit. Partia pritet që të krijohet pas zgjedhjeve vendore. Sipas shkrimit, Fatos Nano dhe Ben Blushi po përgatiten që të themelojnë një parti të re.

Sipas të njëjtave burime, edhe pse grupi organizator do të fillojë së shpejti punën, partia e re do të krijohet pas përfundimit të zgjedhjeve vendore. Ish lideri historik i Partisë Socialiste ka kohë që kërkon të rikthehet në politikë, por këtë herë duket se e ka më seriozisht.

Nano ka lobuar fort, duke afruar pranë vetes disa figura të rëndësishme aktuale të PS si Ben Blushi, por edhe nga ato me peshë në historinë e socialistëve si ish-Presidenti Rexhep Mejdani apo dhe Arben Malaj, disa herë ministër dhe disa figura të tjera, që kanë staturë të rëndësishme në zona lokale. Për sa i përket emrit të partisë së re, burimet thanë se kjo është lënë për një moment të dytë, pasi tani po merren me organizimin e saj.