Falsifikimi i thellë ose siç njihet “Deepfake” është një përmbajtje audio, video apo me fotografi e krijuar përmes inteligjencës artificiale (AI), e cila manipulon pamjen ose zërin e një personi për ta bërë të duket sikur ai ka thënë apo vepruar diçka, por në të vërtetë nuk ka ndodhur.
Ky term vjen nga bashkimi i fjalëve “deep learning” (mësim i thellë) dhe “fake” (false), ku përmes algoritmeve të përparuara krijohen përmbajtje bindëse dhe shpesh të vështira për t’u dalluar nga ato të vërtetat.
Për herë të parë u përdor në vitin 2017, kur në internet filluan të qarkullojnë video të manipuluara që shfaqnin fytyra të personave publikë në situata të rreme.
Edhe pse teknologjia “deepfake” mund të përdoret për qëllime krijuese si në film, art apo arsim – ajo është e njohur për rreziqet që paraqet në:
- Dezinformim dhe propagandë politike, përmes videove të manipuluara të liderëve shtetërorë;
- Shantazh dhe dëmtim të reputacionit, duke vendosur fytyrën e dikujt në përmbajtje të papërshtatshme;
- Mashtrime financiare përmes videos apo audios që imiton zërin e zyrtarëve apo drejtuesve të kompanive;
- Manipulim social, ku opinionet formohen mbi informata të rreme.
Si të dallohen?
Megjithëse janë të sofistikuara, “deepfake” shpesh ka shenja të vogla dalluese: lëvizje të pakoordinuara të syve, ndriçim të pasaktë në fytyrë, mungesë sinkronizimi në zë ose elemente të shtrembëruara në prapavijë.
Për shkak të përmirësimit të vazhdueshëm të algoritmeve, dallimi me mjete të zakonshme po bëhet gjithnjë e më i vështirë, çka e bën verifikimin e burimeve dhe të fakteve më të rëndësishëm se kurrë.
Videot “Deepfake” po bëhen çdo ditë më të sofistikuara!
Mëso si t’i njohësh dhe pse është e rëndësishme të verifikosh burimin!
