“Kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i kalojë Turqisë kontrollin e të gjithë territorit shqiptar, duke vënë në pikëpyetje Sigurinë Kombëtare. Gjatë takimeve të zhvilluara në Ankara, vetë kryeministri ka njoftuar se nëpërmjet Turqisë do të ndërtohet një sistem kontrolli për territorin e vendit me dronë superinteligjentë,” shkruan portali lajmflesh.com.

Lajmi i portalit “lajmeflesh.com”, publikuar më 2 gusht 2022

Pikësëpari, bëhet fjalë për një lajm të vjetër, të një viti më parë, kur kryeministri Edi Rama deklaroi se kontrolli i territorit në vendin tonë shumë shpejt do të bëhet përmes një sistemi dronësh super-inteligjentë. Ai publikoi më 3 qershor 2021 projektet e hartuara me sipërmarrës të ekselencës turke, pjesë e të cilave është edhe ky sistem kontrolli. Rama u shpreh se këta dronë do të prodhojnë të dhëna në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, rendin publik dhe hapësira të tjera.

“Ditë bashkëbisedimesh të detajuara me sipërmarrje të ekselencës turke për: Sistemin e kontrollit të territorit të vendit me dronë super-inteligjentë, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, rendin publik natyrisht e të tjera akoma”, that Rama një vit më parë.

“Detaje për projektin, i cili ka ngritur pikëpyetje të mëdha, mbi sigurinë e vendit, dha edhe ministrja e infrastrukturës edhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila gjatë një interviste televizive deklaroi se do bëhet kontrolli i territorit me anë të droneve dhe kamerave të vendosura kudo,” shkruan më tej artikulli i portalit.

Vetë Balluku deklaroi më 3 qershor 2021: “Sot gjatë takimeve kemi pasur shkëmbim të mendimeve dhe projekteve me disa kompani ekselence të Turqisë. Po i referohem disa projekteve që kanë të bëjnë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, siç është kontrolli i territorit me anë të droneve apo CCTV, pra kamerave të vendosura kudo, duke qenë se qendra e menaxhimit është një projekt që ne kemi folur prej kohësh, por Turqia përmes një prej kompanive shtetërore më ekselente ofron shërbime në shumë vende të tjera, e ka mjaft të avancuar këtë shërbim. Një nga këto projekte parashikohet të jetë kontrolli i territorit dhe i trafikut përmes droneve të ajrit dhe kamerave që do të vendosen në të gjithë rrjetin rrugor shqiptar”, tha Balluku.

Lajm i riprodhuar nga 2021

Nga një kërkim i thjeshtë në Google rezulton se fiks i njëjti artikull është publikuar nga një tjetër portal global-news24hr.com, por data e publikimit është 10 qershor 2021. Kjo përkon me kohën kur kryeministri Edi Rama kishte përfunduar një vizitë në Turqi dhe pas postimit për projektet e hartuara me sipërmarrësit turq.

Lajmi i publikuar nga portali global-news24hr.com, në datën 10 qershor 2021

 Por ndryshe nga artikulli i “lajmeflesh.com”, ai i publikuar në global-news24hr.com përmban edhe disa detaje të tjera, si emri i kompanisë. Të dy artikujt, si ai që ka publikuar lajmin para disa ditësh, si ai që e botoi përpara një viti, kanë të njëjtin burim.

Bëhet fjalë për portalin në gjuhën gjermane t-online.de, i cili po një vit më parë (koha kur e ka marrë për përkthim, përshtatje dhe ripublikim portal global-new24hr.com) publikon artikullin me titull “Ushtria në hije e Erdoganit”.

Lajmi i publikuar më 6 prill 2921 nga portal t-online (është përdorur Google Translate për foton për ta përkthyer nga gjermanishtja)

 “Pas zbulimeve të reja, kompania e sigurisë Sadat po diskutohet në Turqi. Ajo trajnon mercenarë që luftojnë për Presidentin Erdogan jashtë vendit. Misioni i tyre: një “superfuqi islamike”, shkruhet në artikull.

“Adnan Tanrıverdi është një njeri me ndikim në Turqi që i pëlqen t’i lëvizë fijet në plan të dytë në politikë. Pas më shumë se 30 vitesh në ushtri, ai doli në pension si gjeneral brigade në vitin 1996. Në vitin 2012 ai themeloi kompaninë private ushtarake dhe të sigurisë Sadat Defense (Sadat A.Ş). Zyrtarisht Sadat është një firmë konsulente, jozyrtarisht një milici mercenare e porositur nga qeveria turke kryesisht për operacione të fshehta. Në Turqi, Sadati konsiderohet ushtria hije e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Askush në vend nuk e mohon ekzistencën e tyre, por ushtria flet për këtë vetëm me dyer të mbyllura”, vijon artikulli i portalit gjerman.

Një lajm i mbartur dhe që i referohet një investigimi të një portal gjerman, ku si bazë nga portalet shqiptare është marrë vetëm fakti se “është konfirmuar se kompania operon në këto shtete: Siri, Libi, Katar, Tunizi, Somali, Etiopi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Shqipëri.”