Qindra azil-kërkues vendosën dje që të dalin dhe të gjejnë ndonjë mënyrë alternative kalimi përgjatë ndarjes territorial midis dy shteteve por janë ndaluar nga policia sapo kanë hyrë në Maqedoni.
Ata janë mbajtur përkohësisht nga forcat e sigurisë, e më pas u rikthyen në Greqi përgjatë mesnatës. Një zyrtar i policisë maqedonase komunikoi se transporti i tyre u bë nëpërmjet kamionëve dhe autobusëve.
“Një pjesë e emigrantëve të cilët dje pasdite ilegalisht e kaluan kufirit Maqedoni-Greqi tek fshati Moin i Gjevgjelisë, kanë filluar vetë të kthehen në territorin grek pasi kanë kuptuar se nuk mund të vazhdojnë më tej, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ndodhen në afërsi të fshatit ku janë zënë dhe mbajtur nga forcat të armatës dhe policisë.
Gjatë ditës pritet të arrihet marrëveshje midis dy palëve për kthim të të gjithë emigrantëve në territorin grek, gjegjësisht në kampin në Idomeni prej nga janë nisur drejt Maqedonisë përmes kalimeve ilegale.
Në Gjevgjeli situata sot është e qetë. Kampi është i zbrazët, ndërsa atje janë vendosur emigrantët që u shpëtuan dje nga mbytja në lumin Suva Rekë dhe rreth njëzetë emigrantë të cilët janë kthyer nga kampi në Tabanoc.
Ndërkohë, Komisioneri i BE-së për emigracionin Dimitris Avramopoulos, do të kryejë edhe një vizitë në kampin e Idomenit për të inspektuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen azil-kërkuesit.
Situata në kufirin greko-maqedonas ka mbetur thuajse e pandryshuar. Emigrantët po presin me shpresën se samiti i radhës për emigrantët që do të mbahet përgjatë datave 17 dhe 18 mars, mund të ndryshojë diçka për ta.
Ndërkohë, organizatat humanitare vijojnë të japin alarmin se ndihmat, ushqimi dhe medikamentet janë drejt fundit. Një tjetër problem shqetësuar janë problemet shëndetësore. Mjekët e kampit druhen se kushtet katastrofike të higjienës mund të ndihmojnë në përhapjen e ndonjë sëmundjeje epidemike.