Dyqind profesorë u bashkuan në “Kontra Plenum”

-

Një grup prej 200  profesorëve dhe asistentëve universitar nënshkruan nismën për mbështetje të provimit shtetëror në arsimin e lartë. Në listin e kryesuar nga profesorët e Fakultetit Juridik në Shkup, Aleksandar Klimovski dhe Tanja Karakamisheva, janë rreth 200 persona. Nisma është quajtur “Në mbështetje të diturisë në arsimin e lartë” dhe vjen si kontra-plenum i plenumit të profesorëve në të cilin kundër provimit shtetëror u bashkuan rreth 300 profesorë universitarë. Kontra-plenumi i hodhi poshtë, siç shprehet, të gjitha insinuatat se me vendosjen e provimit shtetëror bëhen ndërhyrje në autonominë e universitetit. Qëllimi themelor i provimit shtetëror, bëjnë të ditur ata, është përmirësimi i cilësisë së përgjithshme të arsimit të lartë maqedonas në favor të studentëve dhe të profesorëve. Në “Facebook” reagoi profesoresha Biljana Vankovska, anëtare e Plenumit të profesorëve, me konstatimin se “lista e ‘kontranënshkruesve’ tashmë është demaskuar dhe se në të ka njerëz që janë regjistruar,  pa u pyetur“. „Ndoshta është më korrekte që të presim të demantojnë. Pjesa tjetër as që kanë dëgjuar për faktorin impakt, e as që dinë anglishten, por dinë të dëgjojnë urdhra partiake”, komenton Vankovska.