Paraqitja e votuesve nga Diaspora përfundon sot ndërsa sipas informacioneve të fundit nga KSHZ, deri më tani janë paraqitur mbi 18.600 qytetarë. Nga ky Komision presin që deri në mesnatë, derisa zgjat paraqitja, ky numër mund të tejkalojë shifrën prej 19.000 qytetarë. Siç thonë prej atje, nëse në zgjedhjet e 11 dhjetorit votojnë të gjithë të paraqiturit, Diaspora mund të ketë tre deputetë.
Sipas ndryshimeve në Kodin zgjedhor, që të zgjidhe një deputet nga Diaspora, ai duhet të fitoj rreth 6500 vota ndërsa më shumë mund të fitohen tre deputetë nga njësia e shtatë zgjedhore ku përfshihen Amerika Veriore dhe Jugore, Evropa dhe Australia.
Deri më tani vetëm BDI ka publikuar listën për njësinë e shtatë zgjedhore gjegjësisht për Diasporën. Nga VMRO DPMNE paralajmërojnë se do të kenë kandidatë ndërsa LSDM nuk ka paralajmërim për pjesëmarrje në këtë njësi zgjedhore.