Një video e përhapur në Facebook pretendon se shfaq presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke dhënë deklarata mbështetëse për Kosovën dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Mirëpo, fjala është për një video të manipuluar e krijuar me teknologji të inteligjencës artificiale, ku fjalët që i atribuohen Trump-it janë plotësisht të sajuara.
Çfarë pretendon videoja?
Në këtë video, “Trump”-i flet për Kosovën dhe kryeministrin Kurti me gjuhë mbështetëse ku i veshen fjalët kinse: “Albin Kurti është një lider i fortë, i pakompromis në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai po udhëheqë me integritet dhe përkushtim ndaj popullit të Kosovës, duke mbrojtur interesat e tyre, duke ndërtuar një të ardhme më të ndritur. Unë mbështesë lidershipin e tij të palëkundur dhe vizionin e tij për një Kosovë të fortë, sovrane dhe të begatë”. Audio e manipuluar shoqërohet edhe me titrim në gjuhën shqipe me mbishkrimin: “T’fala Grenellit cep më cep”. Ky postim ka marrë mbi 12 mijë pëlqime, 3 mijë shpërndarje dhe qindra komente, ku shumë përdorues e marrin si të mirëqenë deklaratën e Trumpit.
Videoja mundohet t’i paraqesë këto si deklarata zyrtare, duke lënë të kuptohet se mes Trumpit dhe Kurtit janë marrëdhëniet e shkëlqyeshme.
Pse është qartë një “deepfake”?
Video shfaq mospërputhje me mënyrën reale të të folurit të Trump-it. Zëri në video nuk përmban intonacionet, pauzat dhe energjinë karakteristike të fjalimeve të Trump-it. Vërehen theksime të çuditshme dhe kalime jo natyrale, që tregojnë për manipulim digjital.
Asnjë media serioze, arkivë zyrtare apo kanal i njohur nuk ka publikuar deklarata të tilla. Një mesazh kaq i rëndësishëm do të jepej gjerësisht nëse do të ishte autentik.
Në video dallohet ndriçim i pakoordinuar në fytyrë dhe prapavijë, si dhe sinkronizim jo i saktë mes zërit dhe lëvizjes së buzëve — shenja tipike të videove të manipuluara me Inteligjencë Artificiale. Duke ia atribuuar mesazhin një figure të fuqishme si Trump, i jepet peshë e rreme dhe rritet ndikimi tek audienca.
Deklaratat në video lidhen me kontekstin aktual politik, por nuk përputhen me asnjë kronologji të dokumentuar të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës.
Ajo që dihet është se Ambasada e SHBA-së më 12 shtator lëshoi një njoftim për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën për shkak të “veprimeve të qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe jo stabilitetin, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
Deepfake janë veçanërisht të rrezikshme në situata me marrëdhënie të tensionuara ndërkombëtare. Duke u dukur të besueshme në shikim të parë, ato mund të krijojnë huti tek opinioni publik ose të manipulojnë perceptimet politike.
Megjithëse videoja e paraqet me bindje fjalimin, asnjëra nga deklaratat e pretenduara nuk është e vërtetë dhe Donald Trump nuk ka bërë asnjëherë një fjalim me përmbajtje të ngjashme për Kosovën ose për kryeministrin në detyrë Kurti.