Deputetët e VMRO DPMNE-së sot në vazhdimin e 15-të të seancës konstituive të Kuvendit, sërish debatonin me vetveten. Në vend të debatit për pikën e rendit të ditës gjegjësisht emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për zgjedhje dhe emërime, deputetët e VMRO DPMNE-së përmes replikave dhe kundër- replikave, shpesh të shkruara, diskutojnë për Platformën e partive shqiptare.

Ilija Dimovski nga VMRO DPMNE tha se para se të kalohet në procedurën e ardhshme, në Kuvend, më e rëndësishme është që të ketë përgjigje se çfarë është arritur mes LSDM-së dhe BDI-së dhe kërkoi publikisht të tregohen të gjitha dokumentet.

Surija Rushiti nga Aleanca për shqiptarët tha se me deklaratën e përbashkët të partive shqiptare nuk cenohen interesat nacionale të Maqedonisë.

“Po tentoj të kuptoj cilët interesa nacionale cenohen me platformën e partive shqiptare, siç thoni ju. Kjo deklaratë është kontribut për stabilizim të mëtutjeshëm të shtetit. Me këtë deklaratë nuk cenohet gjuha maqedonase, as kultura, as feja e as identitetit. Me keqardhje më duhet të konstatoj se juve nuk ju interesojnë interesat strategjike të Maqedonisë, por ju interesojnë interesat e liderit tuaj dhe familjarit të tij të afërt”, tha Rushiti.

Deputetët e LSDM-së në këtë vazhdim të seancës konstituive, deri më tani nuk janë paraqitur për replikë e as për vërejtje procedurale.

Seanca vazhdon në orën 15, pas pauzës për drekë.