DBM kërkon kongresmeni Rorabaker të ndërrohet shkaku i deklaratës për Maqedoninë

-

Diaspora e Bashkuar Maqedonase (DBM) i bëri thirrje kryetarit të Kongresit të SHBA-së, Pol Rajan dhe liderit të shumicës në Kongres, Kevin Mekarti, urgjentisht ta ndërrojnë kongresmenin Dana Rorabaker (përfaqësues republikan nga Kalifornia) nga posti i kryetarit të Nënkomitetit për çështje evropiane, për shkak të deklaratës së tij në intervistë për “Vizion Plus” nga Tirana.

Nga DBM thonë se Rorabaker “edhe njëherë ka turpëruar veten, votuesit e vet dhe partinë e vet me sulm krejt të papërgjegjshëm ndaj Republikës së Maqedonisë” dhe theksojnë se anëtarët e Kongresit nuk do të duhet të jenë nismëtarë të konflikteve në Balkan dhe nuk duhet t’i mbështetin agjendat etno- nacionaliste të përfaqësuara nga ana e disa politikanëve ballkanik.

“Thirrjet e kryetarit të përhershëm të Nënkomitetit për Evropë dhe Euroazi dhe kërcënimet potenciale për ndarjen e aleatit besnik të SHBA janë njëkohësisht qesharake dhe shumë të rrezikshme. Maqedonia në vazhdimësi punon në tejkalimin e efekteve destabilizuese nga agresioni i dhunshëm i vitit 2001 nga terroristët e komunitetit shqiptarë. Me deklaratë të këtillë direkte nga përfaqësues i pozicionuar i Partisë republikane për shkatërrimin e Maqedonisë, njëkohësisht seriozisht acarohet politika e SHBA-së në Evropën Juglindore dhe pozicionet e presidentit Donald Tramp” thotë kryetari i DBM, Metodija Koloski.

Ndryshe, gjatë intervistës për televizionin “Vizion Plus” nga Shqipëria, Rorabaker deklaroi se “Maqedonia nuk është shtet”, se “kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet të bëhen pjesë e Kosovës” ndërsa “pjesa tjetër e Maqedonisë duhet të bëhet pjesë e Bullgarisë apo ndonjë shteti tjetër të cilit mendojnë se i takojnë”.