Gazetari i arrestuar Zoran Bozhinovski më 14 shtator është hedhur në grevë urie për shkak të vazhdimit të paarsyeshëm të arrestit dhe anulimin e procesit gjyqësor, deklaroi sot kreu i SHGM-së, Naser Selmani.

Ai tha se edhe pse kreu i burgut e ka ditur këtë, informacionin nuk e ka ndarë as me avokatin e tij e as me Avokatin e popullit.

“I bëjmë thirrje gjykatëse Sandra Kërstiq menjëherë të ndërpres arrestin e kolegut Bozhinovski ngase në të kundërtën e konsiderojmë edhe atë si përgjegjëse për pasojat eventuale që do të shkaktohen për shëndetin dhe jetën e tij”- deklaroi Selmani.

Ai shtoi se nuk ka dyshim se procesi me Bozhinovskin është proces politik i pushtetit që të hesht një gazetar.

Mbështetje për lirimin e tij dha edhe Rikardo Gutieres, sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (FEG). Ai tha se mbështet SGHM-në në kërkesën për lirimin e Bozhinovskit.

“Edhe pse kërkuam nga Gjykata Penale leje që të vizitojmë Bozhinovskin, përgjigje nuk morëm. Rastin e paraqitëm edhe në platformën për gazetarë pranë Këshillit të Evropës. Deri më tani nga Maqedonia në këtë platformë kemi paraqitur raste për 8 gazetarë ndaj të cilëve është kryer frikësim apo janë arrestuar, që është dyfish më shumë se Shqipëria me 4 raste” deklaroi Gutieres.

Selmani nuk përjashtoi asnjë mundësi që e kanë në dispozicion në synimin e tij për lirimin e Bozhinovskit.