Formimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve në Maqedoni po shkon drejt dështimit, për shkak të frikës që faktori shqiptar ka tashmë, thotë Mero Baze, njëri nga gazetarët më të njohur në Shqipëri në kolumnën përmes të cilës komenton dhe analizon ngjarjet e fundit politike në Maqedoni.
“BDI e Ali Ahmetit, e cila është në të vërtetë faktori kyç në formimin e qeverisë, po heziton të bashkohet me Zaievin, duke kërkuar “garanci me shkrim” për kërkesat e tij. Por pavarësisht kësaj, që Zaiev dhe mund t’ia japë, duket se Ahmeti si garanci më të madhe kërkon që koalicioni të respektojë atë si fituesin e shqiptarëve dhe të tjerët të jenë mbushës radhësh”, thotë Baze.
Sipas tij, një tjetër dilemë e Ahmetit duket se janë fituesit e rinj të këtyre zgjedhjeve, partia “Besa”, e cila kërkon t’i rrijë larg pushtetit, me shpresë se do të ketë revansh politik nëse bëhen zgjedhje të parakohshme. “Besa”, një parti me prirje fetare, që po zgjeron terrenin bazuar edhe tek retorika fetare myslimane, që vë fenë para kombit, shikohet si rrezik jo vetëm politik për BDI, por dhe për defaktorizimin kombëtar të shqiptarëve, nëse i detyrojnë shqiptarët të besojnë më shumë tek xhamitë, se sa tek partitë.
“Nga ana tjetër, rreth 70 mijë shqiptarë kanë votuar partinë e Zoran Zaevit dhe shkuarja në zgjedhje të reja bëhet pikërisht për ato vota. Partia VMRO e Gruevskit, e cila është fituesja formale e zgjedhjeve, por që nuk bën dot e vetme qeverinë, po shton zërat për zgjedhje të parakohshme, me shpresë se do të rikuperojë nga përçarja e shqiptarëve dhe dështimi i opozitës. Kështu e gjithë ajo që u quajt frymë ndryshimi në Maqedoni, sot është frymë dyshimi ndaj njëri- tjetrit dhe të gjithë shpikin nga një arsye për të mos pasur qeveri dhe nga një ide se si mund të fitohen zgjedhjet e reja.”, shton Baze.
Sipas Baze, fakt është se shqiptarët janë bërë të rëndësishëm me humbjen e disa vendeve të deputetëve ndërsa maqedonasit janë dobësuar me fitimin e më shumë vendeve të deputetëve.
“Në rast partitë shqiptare të mos arrijnë të bëjnë qeveri me opozitën, ata do të pajtohen me opozitën të shkohet në zgjedhje të reja me idenë e ndryshimit e jo me idenë e dyshimit. Nëse jo, fitues do të jetë Gruevski dhe shqiptarët e Maqedonisë do ta meritojnë”, shkroi Baze në kolumnën e tij.