fbpx

Ballkani i Hapur, marrëveshja për tregun e lirë të punës pa rezultat

-

Në dhjetor 2021, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia firmosën një marrëveshje për tregun e lirë të punës në kuadër të nismës ‘Ballkani i Hapur’. Por edhe pse ka më shumë se një vit jetë, marrëveshja e detajuar nuk po gjen zbatim. Faktoje verifikoi se autoritetet ende nuk kanë zbatuar një nga hallkat më të rëndësishme të saj, që është ngritja e një Komiteti të Përbashkët Pune mes tre vendeve. Edhe shifrat zyrtare të punësimeve në Shqipëri nga vendet anëtare të nismës ‘Ballkani i Hapur’ tregojnë se për momentin, tregu i lirë i punës në vendet e Ballkanit Perëndimor është thjesht retorikë politike.

Esmeralda Topi

“Ne flasim për gjëra konkrete dhe po ndërmarrim hapa vërtetë domethënëse përpara për të liberalizuar tregjet tona të punës, duke krijuar më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe duke e bërë rajonin më tërheqës për investimet e huaja.” – deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp në kuadër të nismës ‘Ballkani i Hapur’, teksa i referohej marrëveshjes së sapofirmosur për tregun e lirë të punës mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë më 21 dhjetor të 2021.

Çfarë parashikon marrëveshja për tregun e lirë të punës?

Marrëveshja për tregun e lirë të punës u miratua nga Këshilli i Ministrave më 2 shkurt 2022 duke sanksionuar mundësinë dhe të drejtën e të gjithë qytetarëve të të treja vendeve për të pasur akses të menjëhershëm dhe të barabartë për lejet e punës dhe të qëndrimit.

“Shtetasit e Palëve Kontraktuese për të cilët zbatohet kjo Marrëveshje, do të kenë të drejtën të lëvizin, qëndrojnë dhe punojnë lirisht brenda territorit të Palëve Kontraktuese.”, shkruhet në hapje të dokumentit, ku më tej sqarohen kushtet dhe procedurat e thjeshtuara për marrjen e të drejtës për punë.

Referuar dokumentit, zbatimi i marrëveshjes i ngarkohet si përgjegjësi një Komiteti të Përbashkët pune, me pesë përfaqësues të secilës palë, të cilët duhet të organizojnë, koordinojnë dhe kontrollojnë aktivitetet që lidhen me zbatimin e marrëveshjes për tregun e lirë të punës.

“Komiteti i Përbashkët do të mblidhet të paktën një herë në vit dhe do t’u raportojë Palëve Kontraktuese çdo gjashtë muaj për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.” – saktësohet në marrëveshje.

Sipas afateve të vëna në dokument, mbledhja e parë e Komitetit duhet të ishte bërë më 2 mars të 2022, një muaj pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, ndërkohë që kjo strukturë duhet të ishte mbledhur të paktën dy herë përgjatë një viti nga nisja e zbatimit. Dokumenti është i detajuar, por kur vjen puna tek zbatimi, gjërat ndryshojnë.

Verifikimet e Faktoje tregojnë se autoritetet nuk e kanë ngritur ende këtë strukturë që duhet të maste rezultatet konkrete të marrëveshjes për tregun e lirë të punës.

Faji mbetet ‘jetim’

Faktoje iu drejtua Kryeministrisë dhe Agjencisë për Media dhe Informim, duke kërkuar informacion mbi anëtarët e Komitetit të Përbashkët si dhe rezultatet e mbledhjeve që ka ndërmarrë kjo strukturë në një vit. Agjencia për Media dhe Informim na ia delegoi pyetjet zyrës së Kryeministrisë. Kjo e fundit, dhjetë ditë më vonë ia delegoi kërkesën për informacion Ministrisë së Financave e cila shkurtimisht na informoi se nuk ka ende një Komitet të Përbashkët me përfaqësues të tre vendeve firmëtare të marrëveshjes.

“Në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë nuk është përcjellë asnjë kërkesë për ngritjen e Komitetit të Përbashkët me përfaqësues të Palëve Kontraktuese të marrëveshjes.” – argumenton Ministria e Financave duke e përjashtuar veten nga përgjegjësia.

Edhe shifrat ‘rrëzojnë’ retorikën e punësimit nga ‘Open Balkan’

Në fund të vitit 2022 në Shqipëri janë pajisur me dokumente punësimi 8.621 shtetas të huaj nga të cilët vetëm 356 shtetas janë nga rajoni, kryesisht të punësuar në sektorët: industri përpunuese, tregti, telekomunikacioni, transport, akomodim, shërbime dhe ndërtim.

Të dhënat zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive tregojnë se numrin më të lartë të të punësuarve nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Shqipëri e mban Kosova me 221 punonjës, ndërkohë që Maqedonia e Veriut dhe Serbia që janë nënshkruese të marrëveshjes së tregut të lirë të punës numërojnë vetëm 115 të punësuar së bashku. Konkretisht, 93 persona nga Maqedonia e Veriut dhe 22 shtetas nga Serbia.

Edhe shifrat zyrtare tregojnë se marrëveshja e ‘Open Balkan’ për lehtësitë në punësim nuk ka prodhuar rezultat në vitin e parë të lindjes. Pesha e punonjësve nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia në tregun shqiptar të punës është e ulët, fakt që e konfirmojnë për Faktoje edhe disa përfaqësues të Agjencive Private të Rekrutimit në Shqipëri.

 “Të them të drejtën nuk kam patur asnjë rast nga këto vende (Serbi, Maqedoni e Veriut) deri tani. Se çfarë do të ndodh më vonë, s’e dimë. Marrëveshjen e kam të dëgjuar, por vetë e kam të patestuar. Gjithsesi, mendoj që jemi herët për të pritur efektet e marrëveshjes dhe le t’i japim pak kohë.”- pohon Erald Pashaj, Administrator i EPPC Albania & Kosovo.

Edhe Arjan Ruçaj, nga kompania Recruit Plus thotë se tregjet kryesore te rekrutimit në Shqipëri nuk janë nga rajoni.

“Kryesisht janë punëtorë që vijnë nga vendet e treta dhe pjesa më e madhe janë nga profesionet e pakualifikuara. Vende si Filipinet, Nepal, Bangladesh, edhe India ka goxha kërkesa. Po ashtu edhe nga Afrika. Ndërsa shqiptarët janë më të orientuar drejt vendeve europiane, sidomos për vendet skandiave. Këta janë punonjës të kualifikuar, elektriccist, hidraulik, mekanikë.” – pohon ai duke shtuar se lëvizjet e punësimit ndodhin për shkak të pagës më të lartë që ofrohet.

Nga korriku i 2021 kur nisma u pagëzua me emrin ‘Open Balkan’, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia kanë nënshkruar 14 marrëveshje dhe disa memorandume bashkëpunimi. Por verifikimet e deritanishme tregojnë se që prej jetësimit të saj e deri më tani nisma nuk po prodhon rezultatet e pritshme. Takimi i radhës në kuadër të Ballkanit të Hapur pritet të mbahet në fund të muajit maj.

*Lexoni më poshtë një tjetër verifikim që Faktoje ka bërë lidhur me zbatimin e marrëveshjes për katastrofat në kuadër të nismës Ballkani i Hapur.

https://faktoje.al/ballkani-i-hapur-marreveshja-per-katastrofat-mbetet-ne-leter

ИзворFaktoje.al

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.