Asnjë nuk pa hajër nga „air“-i dixhital

800px-Television_studio_HTV-e1456159962814

Për shkaqe burokratike dhe politike, për shkak të paaftësisë dhe ngutjes, për shkak të hedhjes së hapave të mëdha pa konsultime paraprake me ato që e transmetojnë përmbajtjen, eteri dixhital në Maqedoni është edhe i pashfrytëzuar, edhe bëhet jointeresant për transmetuesit privat. Transmetuesit komercialë ankohen për çmime shumë të larta dhe monopol, ndërsa servisi publik, i strukur në fuqinë e tij imagjinare dhe mbrojtjen elitare nga partia në pushtet, nuk mund të lëvizë përpara për shkak të politizimit të procesit.

Autor: Teofil Bllazhevski

Republika e Maqedonisë, në vitin e tretë pas implementimit të dixhitalizimit në telekomunikime, nuk i shijoi përfitimet nga ky proces. Kur flasim për RM-në, mendojmë para së gjithash, për qytetarët, por edhe për shtetin. E vetmja që e fituan qytetarët, në shikim të parë, është numër më i madh i „kanaleve” dhe „fotografi e pastër si kristal”. Por këto janë përfitime të rrejshme, sepse jo të gjithë qytetarët kanë numër më të madh të kanaleve dhe jo të gjithë qytetarët kanë „fotografi të pastër si kristal”. Dhe, për këtë flet edhe fakti që koncesioneri kryesor i „frekuencave dixhitale”, „One”, transmeton deri tek shfrytëzuesit e tij definicion standard (SD), si dhe ajo që pjesëmarrja e tij në treg është nën një të katërtën e parapaguesve Televiziv.

Dhe që është më me rëndësi, as qytetarët dhe as transmetuesit komercial nuk i shfrytëzojnë përparësitë e dixhitalizimit të sinjalit, sepse i gjithë procesi duket se është udhëhequr me ngut, pa u dëgjuar të gjithë zërat e publikut të interesuar.

Kjo është pasqyra e përgjithshme që fitohet kur depërtohet më thellë në procesin e dixhitalizimit dhe kur dëgjohen njerëzit që e njohin procesin dhe cilët janë, ose kanë qenë palët e interesuara.

TRANSMETIMI NË REZOLUCION SD

Për momentin, tre vite pas procesit, kemi situatë si vijon: pjesa më e madhe e transmetuesve komercial në nivel kombëtar dhe rajonal transmetojnë në mënyrë tokësore nëpërmjet operatorit „One” – firmë simotër e „Telekom Slovenia”, që operon me të dy multipleksët e fituar me koncesion nga shteti. Sinjali transmetohet në format dixhital në rezolucion SD (Standard Definition), për shkak të çmimit dhe kapaciteteve të kufizuara, ndërsa teknologjia me të cilën disponon „One” është DVB-T (Digital Video Broadcasting – Terestrial), gjegjësisht për video transmetim dixhital tokësor. Kjo llogaritet si e vjetërsuar, sepse bën kompresim shumë më të vogël të sinjalit (fotografi dhe zë) për dallim nga teknologjia e re DVB-T2 dhe mundëson kalim maksimal prej 22MBIT/s (22 megabit për sekondë) për multipleks.

Në një nga dy multipleksët me të cilët operon „One”, mund të „paketohen” maksimalisht 11 kanale televizive në rezolucion SD, ose vetëm tre në definicion plotësisht të lartë (FULL HD), sepse sipas të gjitha standardeve për SD nevojiten minimum 2Mbit/s, ndërsa për definicion të lartë – prej 6 deri në 8 Mbit/s.

Prandaj, të pesë televizionet me koncesion kombëtar që transmetojnë në mënyrë tokësore nëpërmjet resursit të kufizuar (radiofrekuenca nëpërmjet ajrit), paguajnë për sinjal me rrjedhshmëri prej 2Mbit/s, që është mjaftueshëm për transmetim në rezolucion SD. Por kjo, gjatë skenave dinamike siç janë transmetimet sportive, nuk i plotëson nevojat për fotografi cilësore, për shkak të së cilës rrjedhja e sinjalit nëpërmjet „One” është dinamike, gjegjësisht në raste të tilla rritet rrjedhja e megabitëve në sekondë për një kanal, në llogari të cilësisë së kanaleve të tjera, shpjegojnë një pjesë e bashkëbiseduesve tonë.

Me fjalë të tjera, dy multipleksët me të cilët operon „One” nuk mund ta shërbejnë tregun me fotografi më cilësore, sepse teknologjia që e përdor ai është e vjetërsuar. Dhe sipas bashkëbiseduesve tonë, kështu ndodh sepse edhe në momentin kur në tenderin e tretë me radhë nga Agjencia për komunikime elektronike është paraqitur „One”, ai ka pasur rrjet të ndërtuar për transmetim të sinjalit për platformën e tij televizive „Boom Tv” (BOOM TV), me teknologji për transmetim DVB-T.

FOTOGRAFI ME REZOLUCION TË LARTË SHOHIM NËPËRMJET OPERATORËVE KABLLORË DHE TË TJERËVE

Analiza e fundit e AKE-së për kuartalin e katërt të vitit 2015 tregon qartë se cili është bartësi kryesor i „veprimtarisë” në transmetimin e sinjalit televiziv deri tek shfrytëzuesit e fundit:

  • Televizion kabllor – 54,32 përqind
  • Televizion nëpërmjet internetit (IPTV) – 26,64 përqind
  • DVB-T (ONE) – 14,65 përqind
  • Televizion Satelitor – 4,39 përqind.

Kjo do të thotë se transmetimi i televizionit dixhital nëpërmjet të transmetuesit tokësor është në fund të listës. Gjithashtu për theksuar është edhe e dhëna nga analiza se shfrytëzuesit përfundimtar të këtij lloji të shërbimeve kanë rënë për 5,32 përqind në krahasim me kuartalin paraprak të vitit 2015. Në periudhën e njëjtë të analizuar është rritur për 4,4 përqind tek operatorët kabllorë, ndërsa sa i përket kuartalit të dytë të vitit 2014, mund të vërehet rritje e shfrytëzuesve për 13,54 përqind.

Kjo tregon se transmetuesit komercialë edhe në nivel kombëtar edhe në nivel rajonal, interesin e shohin tek transmetimi përmes „kablloxhinjve”, para së gjithash për shkak të mospasjes së shpenzimeve (nuk i paguajnë „One”-it shuma të mëdha për ato), ndërsa transmetimi nëpërmjet një resursi të pakufizuar (kabllo) u mundëson atyre televizioneve që investuan në teknologji me rezolucion të lartë tu ofrojnë shikuesve fotografi cilësore. Prandaj, të gjithë ne që shikojmë kanale me rezolucion të lartë në ndonjë nga televizionet e Maqedonisë, më së shpeshti i shikojmë nëpërmjet ndonjë operatori kabllor ose platforme televizive nëpërmjet internetit.

Dhe tani, me gjendje të këtilla në treg, përse nevojitej e gjithë ajo ngutje për fillim me dixhitalizim të plotë të sinjalit në vitin 2013, kur afati përfundimtar i vendosur nga trupat e BE-së në vitin 2006 në Gjenevë, ka qenë viti 2015? Pyetja kryesore është se çka fituan qytetarët e Maqedonisë edhe në aspektin e inovacioneve teknologjike edhe në aspektin e pluralizmit të ofertës së programeve, ideale për një shoqëri multinacionale dhe multikulturale siç është Republika e Maqedonisë?

RTVM – GJIGAND I NGATËRRUAR NË POLITIKË

Përgjigja duhet tu drejtohet veçmas servisit publik dhe veçmas transmetuesve privat, sepse natyra e punës së tyre dhe obligimet dhe detyrat për njërën palë dhe për tjetrën janë të ndryshme.

RTM nuk ka shpenzime për transmetim të televizionit dixhital nëpërmjet transmetuesit tokësor siç kanë televizionet komerciale. RTM e transmeton sinjalin përfundimtar deri tek përdoruesit e vetë nëpërmjet njërit nga dy multipleksët që janë të dedikuar vetëm për të dhe me të cilët në mënyrë jokomerciale punon ndërmarrja publike Radiodifuzioni i Maqedonisë, të cilës i janë dhënë në dispozicion gjithsej tre multipleksë. Kjo do të thotë se RTVM ka në dispozicion kapacitete shumë më të mëdha për transmetim të sinjalit, dhe si rrjedhojë edhe shumë mundësi më të mëdha për ofertë të llojllojshme programore, për krijim të të ashtuquajturave subkanale, gjegjësisht kanale të specializuara, dhe të gjithë përparësitë e tjera që mundësohen me sinjalin dixhital. Por, kjo, ja tashmë tre vite me radhë, nuk ndodh në praktikë.

Kjo është edhe më e çuditshme nëse dihet se nga disa milionë eurot e rregullta që për çdo vit i merr si ndihmë nga buxheti shtetëror (rreth 4 milionë euro vetëm në bazë të nenit 105 të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale), mjete të konsiderueshme i referohen zhvillimit dhe përfundimit të procesit të dixhitalizimit. Kjo mund të shihet edhe nga plani financiar për vitin 2016, për shembull, ku shihet se për kompletimin e pajisjeve për dixhitalizim do të shpenzohen 20 milionë denarë ose më shumë se 324.000 euro, plus disa milionë denarë të vendosura në pjesën e amortizimit, ku, gjithashtu, përmendet dixhitalizim i pajisjeve.

Në RTM, megjithatë, kanë menduar në këtë temë. Në seancë të Këshillit programues (KP) të RTM-së kah fundi i vitit të kaluar, nga udhëheqësia KP-së i është propozuar shqyrtim dhe miratim i kanaleve të reja programore në TVM, në fillim si eksperimentale, e me arsyetimin se do të rritet llojllojshmëria e ofertës. Atëherë (në nëntor të vitit 2015), plani ka paraparë hapjen e tre kanaleve të reja në RTM edhe atë TVM3 – Kanal muzikor argëtues (plus sport), TVM4 – Kanal dokumentar dhe TVM5 – Kanal për fëmijë.

Por udhëheqësia ka harruar vetëm një gjë – RTM është servis publik i të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe në pajtim me ligjin financohet nga ato, ndërsa nuk kanë kushtuar kujdes për programet në gjuhët e kombësive që transmetohen në kohë të ndarë në Servisin e dytë programor të TVM-së. Në seancë ka ardhur deri tek një diskutim i ashpër i iniciuar nga disa nga përfaqësuesit e Shqiptarëve, të cilët së pari kanë kërkuar ndarje të të gjithë kanalit të dytë vetëm për transmetim të programit në gjuhën shqipe, kanali i tretë të ndahet për transmetim në gjuhët e popujve të tjerë që si minoritete jetojnë në Maqedoni, dhe tek pastaj të mendohet për kanale të tjerë. Pas kësaj është vënë në votim, në të cilin së pari është miratuar propozimi i udhëheqësisë, dhe pasi është kërkuar interpretim autentik nga Kuvendi i RM-së, pastaj votim sipas Badinterit etj, dhe në fund e gjitha kjo ka përfunduar më kërkesë të udhëheqësisë për anulim të vendimit të sapomiratuar në seancën e KP-së.

Kështu, qytetarët përsëri nuk fituan asgjë. As që nuk është menduar (kjo nuk figuron në dokumentet që i pamë) për mundësinë e zgjedhjes së titrave apo audiopërkthimit të kanaleve të reja, e as të atyre ekzistuese. Konstatimi është se nuk është bërë përpjekje e mjaftueshme për shembull, për shikim multietnik të të gjitha ofertave programore të RTM-së, që do të ishte një përfitim i vërtetë për secilin shikues.

Këtë e thotë edhe Goran Gavrillovin, pronar i shoqërisë radiodifuzive tregtare që e transmeton radion kombëtare „Kanal 77”, i cili konsiderohet si njohës i shkëlqyeshëm i materies ligjore dhe i mundësive teknike:

-Edhe pse për më shumë se tre vite disponon me këtë resurs, RTM përveç dixhitalizimit të fotografisë nuk bëri absolutisht asgjë që do të ishte në favor të publikut. Nuk besoj se arsye për këtë kanë qenë kushtet ekonomike, sepse e gjithë infrastruktura u ndërtua me ndihmën e AKE-së, mirëmbajtja e pajisjeve dhe sinjalit nëpërmjet të NP RDM është në barrë të qytetarëve nëpërmjet parapagesës, të hyrat nga reklamat janë një sasi e konsiderueshme e mjeteve që duhet të reinvestohen, blerja e pajisjeve dixhitale për studio u ndihmua nga buxheti i RM-së, nga USAID-i, nga Holanda… Kështu që të gjithë këto kushte të ndihmuara nga shumë faktorë, dhe në të njëjtën kohë edhe faturimi më i lartë i parapagesës nga ana e DAP-it, sollën një bazë të mirë për një fillim të suksesshëm dixhital në RTVM – thotë Gavrillov.

Gjithsesi, ai është i bindur se pikërisht TVM duhet t’i paraprijë këtij procesi dhe pushtimit të teknologjive të reja, me qëllim final – përfitim për të gjithë, edhe për qytetarët edhe për shtetin.

-Megjithatë, RTM-ja, si prijës kryesor i standardeve mediatiko-teknologjike në Maqedoni, duhet ta udhëheqë dixhitalizimin në drejtim të teknologjisë shumë produktive, duke shtuar përmbajtje të reja dhe servise për plotësimin e nevojave të publikut – thotë Gavrillov.

Për të gjithë këto gjëra, si dhe për aspektet teknike, për shembull, për atë se a transmeton TVM-ja sinjal me rezolucion të lartë nëpërmjet multipleksit, dhe jo vetëm nëpërmjet kabllorëve që e marrin, donim ta dëgjojmë mendimin e përgjegjësve. Por, edhe pas e-mailit të dërguar redaktorit përgjegjës të servisit të parë programor dhe drejt udhëheqësit të Sektorit për TV/RA teknikë, si dhe pas disa telefonatave drejtuar këtij të parit, nuk morëm asnjë përgjigje.

TRANSMETUESIT KOMERCIAL PA PLANE PËR PËRMIRËSIMIN E OFERTËS

Nëse TVM me gjithë ato mjete dhe pa shpenzime ndaj RDM-së për transmetim, nuk arrin të bëjë ndryshime të mëdha sa i përket zhvillimit të ofertës së programit dhe shfrytëzimit të përparësive të dixhitalizimit, pse duhet të presim nga transmetuesit komercial, që janë financiarisht shumë më të dobët, të mendojnë për pasurim të ofertës dhe shfrytëzim të përparësive të sinjalit dixhital?

Arsyeja kryesore që përmendet është se me këtë kulaç të zvogëluar të marketingut në Maqedoni, i cili sipas tyre nuk tejkalon 20 milionë euro në nivel vjetor (pa paratë e reklamave qeveritare të cilat tani janë shterë), dhe me shpenzime të larta të panevojshme për emetim dhe transmetim të sinjalit tokësor, nëpërmjet multipleksëve të „One” -it (me zbritje rreth 105.000 euro për SD në nivel vjetor), thjesht nuk kanë perspektivë të mendojnë për kanale të specializuara, për transmetim 3D, për përkthime në shumë gjuhë të programeve të tyre, ose as të mos flasim për teknologji që do të na mundësojë zgjedhjen e kamerës nga ana e shikuesit.

Paratë dhe tregu si një arsye të mundshme për mungesën e përparësive nga zhvillimi i dixhitalizimit, i thekson edhe Dejan Georgievski, drejtor i Qendrës për zhvillimin e medieve (QZHM).

-Arsyeja kryesore është që tregu tek ne, në momentin e kalimit në dixhital, veçse ishte i tejngopur me medie dhe është me një nivel të ulët të mirëmbajtjes, duke pasur parasysh paratë në dispozicion nga reklamat. Përqindjet vlerësohen nga 20 milionë euro në variantin më pesimist, deri në 40 milionë euro në variantin më optimist. Kjo gjë e bën hyrjen e transmetuesve të ri të vështirë dhe të pasigurt, me mundësi të pakta për sukses. Dixhitalizimi përndryshe tregohet si i suksesshëm pikërisht ne atë fushë të shërbimeve të reja, dhe të kanaleve të reja të specializuara në tregje të rregulluara mirë – thotë Georgiev.

Si shembull për mbështetje të deklaratës të tij, Georgiev e përmend Holandën dhe Britaninë.

-Holanda krahas servisit publik me tre kanale, ka edhe dy transmetues komercial, secili prej tyre me tre kanale, dhe kulaçi i marketingut u matet me miliona euro. Ngjashëm edhe në Britaninë e Madhe, ku para dixhitalizimit kishte katër Rrjete Televizive kombëtare, „BBC” me dy kanalet e veta, „ITV”, „Channel 4” dhe „Channel 5”, me filialet e tyre rajonale, kanali rajonal në Wales dhe me 18 licenca për shërbime të kufizuara (kryesisht, transmetim lokal). Tek ne, siç përmenda, për shkak të paqëndrueshmërisë së tregut, investimit të paleverdishëm, dhe kryesisht edhe vendimeve politikisht të motivuara për zhvillim të radiodifuzionit, nuk pres që një gjë e tillë të ndodhë në të ardhmen e afërt – thotë Georgiev.

Edhe Goran Gavrillov mendon se publiku i Maqedonisë nuk ka marrë asgjë më shumë se „një fotografi pak më të pastër”, ndërsa arsyet për këtë gjithashtu i sheh tek çmimi dhe tregu.

Mediet private i ndërruan pajisjet e studiove të tyre me teknologji SD, ose me definicion të lartë, ose disa edhe në pajisje „FULL HD”, por edhe pse kishin mundësi për definicion të lartë ose ndonjë farë interakcioni, ato përsëri tek provajderi „One” transmetojnë në definicion standard.

Cila janë arsyet për këtë? Thjesht, përgjigja është çmimi i cili është i kontraktuar ndërmjet AKE-së dhe „One”-it. Kompensimi vjetor për shpërndarje të sinjalit me definicion standard arrin shumën prej më shumë se 90.000 euro, ndërsa për definicion të lartë rreth 300.000 euro. Stacionet televizive rajonale paguanin rreth 35.000 euro për SD.

Pamundësia ekonomike e tregut të fragmentuar nga numri tejet i madh i TV-serviseve në eter dhe nëpërmjet kabllorëve, e shteroi fuqinë e televizioneve për ta paguar këtë kompensim dhe prandaj sasia është faktor vendimtar për cilësinë që do ta pranojë publiku i gjerë.

Në fund, publiku fitoi shumë kanale vendore në SD nëpërmjet eterit dixhital pa definicion të lartë, pa dygjuhësi, pa 3D, pa interakcion. Pjesën përmbajtësore të mos e krahasojmë fare, fuqia e tregut është aq sa të paguhet vetëm transmetimi i sinjalit.

-Në të njëjtën kohë, operatorët kabllorë dhe „Max Tv” si platformë e internetit ofron mundësi dhe shërbim transmetimi në definicion të lartë nëpërmjet të paketave të tyre dixhitale, sepse investoi në kabllo optik dhe nëpërmjet të projekteve „Fiber to the Office” dhe „Fiber to the home”. Prandaj është e mundur që në afat të gjatë ato të jenë prijës të dixhitalizimit me më shumë servise, që nuk ka lidhje me eterin dixhital – thotë Gavrillov.

Ai paralajmëron për paraqitjen e teknologjive të reja që mund ta bëjnë eterin dixhital edhe më pak tërheqës, duke i përmendur këtu provajderët global si IP ose OTT-platforma, të njohur nëpërmjet firmës „Netflix” nga Amerika, e cila ofron filma dhe seriale me përkthim, të cilat janë enkas të prodhuara për atë treg.

-Teknologjitë e këtilla ndoshta do t’i drejtojnë edhe mediet drejt vetes, ndërsa eteri dixhital për arsye burokratike mund të bëhet i paperspektivë – thotë Gavrlilov, duke rikujtuar në të njëjtën kohë se në shtetet evropiane, shteti jo vetëm që bëri dotacione tek familjet sociale që ta pranojnë sinjalin dixhital, por bëri dotacione edhe në teknologji të reja tek vetë televizionet, për prodhim të një sinjali cilësor.

ÇËSHTJET PËR OFERTË PËRMBAJTËSORE NË KËTO KUSHTE JANË „AVANGARDE”

Ngjashëm mendon edhe Bisera Jordanovska, drejtoresha e deridikurshme shumëvjeçare e televizionit „Alsat-M”. Ajo mendon se përshpejtimi i procesit dhe mospërfshirja e televizioneve private në marrëveshjen e çmimit, si dhe kulaçi gjithnjë e më i vogël i marketingut, e bën dixhitalizimin jotërheqës për televizionet private, në aspekt të pluralitetit të përmbajtjeve programore.

-Transmetuesit, shikuar vetëm nga aspekti komercial, janë në një betejë të vazhdueshme për mbijetesë. Në rrethana të tilla, çështjet për ofertë përmbajtësore nga aspekti i dixhitalizimit janë nga pak „avangarde”.
Opsione për ofertë më cilësore, kuptohet, ka. Për shembull, mundësia që të zgjidhen titra në më shumë gjuhë, ose, zëri me dy kanale. Duke pasur parasysh edhe strukturën e popullsisë në këtë vend dhe konceptin dygjuhësor, për shembull në „Alsat-M”, në kushte normale të tregut do të ishte e pashmangshme që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë, por, realisht, paratë përsëri e bëjnë të vetën. E këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shpenzimin plotësues ndaj „One”-it.
Nëse transmetuesi do të donte që një serial ta transmetojë me përkthim, ose të sinkronizuar në të dy gjuhët, kjo nënkupton një shpenzim shumë më të madh për të drejtat e licencës, sepse Maqedonia e ka edhe atë specifikë, një serial i njëjtë të shitet për të njëjtin territor, por veçmas për shqip dhe veçmas për maqedonisht.
Vlerësimi i televizioneve me siguri është se shpenzimi më i madh nuk mund të arsyetohet komercialisht dhe as të kthehet nëpërmjet reklamave. Arsye për këtë, midis të tjerave, është që një numër tejet i madh i transmetuesve që luftojnë për një kulaç marketingu gjithnjë e më të vogël.
Në këtë kuptim, analiza për gjendjet në hapësirën mediatike duhet të bëhet shumë më gjerë, sepse dixhitalizimi vetëm i vazhdoi dhe i thelloi gjendjet ekszistuese – thotë Jordanovska.

Edhe nga TV „Tellma” konsiderojnë se problemet qëndrojnë edhe tek provajderi dhe tek kulaçi i marketingut, pra tek paratë. Dimçe Sllaveski, përgjegjës i teknikës në televizion, thotë se shikuesit, të paktën sa i përket sinjalit, nuk kanë marrë asgjë më shumë, dhe ajo që është më „dekurajuese” është transmetimi i kufizuar i sinjalit.

-Sa i përket ofertës që e fituan shikuesit, lirisht mund të themi se sa i përket kualitetit të sinjalit nuk fituan asnjë përmirësim në krahasim me atë që e kishin më parë.
Ajo që është më dekurajuese në dixhitalizimin e implementuar është kapaciteti transmetues i kufizuar i multipleksëve – 22Mbps/MUX ose 44 Mpbs për të dy multipleksët. Kjo është kështu sepse përdoret teknologji e vjetërsuar DVB-T, në momente kur në shtetet e zhvilluara përdoret DVB-T2, që siguron deri në 40 Mbps. Me pak fjalë, operatori „One” nuk ka kapacitet të transmetojë sinjale në rezolucion me definicion të lartë – thotë Sllaveski.

Në lidhje me hapjen e kanaleve të specializuara për ndonjë fushë, Sllaveski mendon se për këtë është e nevojshme të formohet një subjekt i pavarur (SHRT) dhe të fitohet licencë adekuate nga Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audio vizuale (ASHMAA). Sa i përket përdorimit të përkthimeve në gjuhë tjetër, „nuk ka kufizime të tjera përveç atyre financiare”. Sllaveski thotë se çmimet që i paguhen „One”-it janë të larta dhe që duhet të ketë ndonjë mënyrë tjetër për përllogaritje.

-Çmimet që i paguan televizioni tek operatori „One” janë të larta në krahasim me shpenzimet për servisimin e plotë të rrjetit analog tokësor, janë së paku pesë herë më të larta. Çmimi duhet të formohet në bazë të transferit të realizuar të të dhënave për secilin televizion në veçanti – thotë Sllaveski.

investimin në enkoderin për transmetim të sinjalit dixhital dhe për adaptim të të njëjtit para se t’i dorëzohet „One”-it, por nga aspekti i shpenzimeve e konsideron edhe investimin e deriatëhershëm në pajisjet ekzistuese lidhëse dhe transmetuese për të cilat TV „Tellma” ka shpenzuar më shumë se 1,5 milionë euro dhe të cilat në rrjetin dixhital mund të shfrytëzohen deri në 70%.
Por, ato 30%, transmetuesve nuk ua kompensoi askush. Këtë na e konfirmuan edhe Gavrillov dhe Jordanovska, e cila thotë:

Për disa televizione, të cilat kanë investuar shumë në rrjetin e transmetuesve, si për shembull „Alsat-M”, edhe atë vetëm para pak vitesh, kjo në mënyrë indirekte, ishte një goditje financiare, sepse kompania praktikisht edhe nuk pati mundësi që ta realizojë biznes planin e vetë, i cili si bazë për atë investim sigurisht e ka të paraparë edhe kohëzgjatjen e licencës së fituar për 10 vite.

NUK KA HAJËR PREJ ETERIT DIXHITAL

Konkluzioni që mund të nxirret, jo vetëm prej këtyre bashkëbiseduesve, por edhe nga diskutimet e mëparshme në mbledhje të ndryshme të organizuara për këtë temë, është shumë dekurajues. Nuk ka sinjal më të mirë, përkatësisht fotografi më të mirë nëpërmjet operatorit të multipleksit tokësor dixhital „One”. Përkundrazi po ndodh e kundërta e këtij procesi, nuk ka pluralizëm në përmbajtjen programore, nuk ka subkanale të specializuara, nuk ka 3D, nuk ka interakcion me shikuesit, nuk ka ulje të kostove të prodhimit të përmbajtjes etj.

Para se të fillojë ky proces, diku prej vitit 2009, dhe përfundimisht prej 1 qershorit të vitit 2013, shteti kërkoi një strategji nga Këshilli i atëhershëm i radiodifuzionit, sot Agjencia – ASHMAA. Strategjia e parë, me të cilën ishte i paraparë, midis të tjerave, edhe mosekzistimi i monopolit për multipleksët, nuk është pranuar pa ndonjë arsyetim, ndërsa pastaj është pranuar strategjia e dytë, në të cilën veçse është shënuar se RDM disponon me dy multipleksë dhe dy të tjerë vihen për përdorim komercial.

Përshpejtimin e procesit të dixhitalizimit dhe dëmet si pasojë e kësaj, në mënyrë precize e sqarojnë edhe bashkëbiseduesit tanë. Bisera Jordanovska thotë se në fazën finale askush as që i ka pyetur transmetuesit komercialë.

-Grupacioni i televizioneve kombëtare që në fillim pati shumë takime me njerëzit e atëhershëm të Radiodifuzionit të Maqedonisë për të shqyrtuar mundësinë për transmetim nëpërmjet multipleksëve të përmendur, por në procesin e mëtejshëm kjo mundësi u përjashtua nga ana e Qeverisë.
Trupat kompetentë, në fakt, edhe shumë vonë e aktualizuan këtë temë. Televizionet u vunë para aktit të kryer, ta shuajnë sinjalin analog dhe t’i çmontojnë transmetuesit e tyre dhe të kalojnë në DVB-T, ose të zgjedhin një mjet tjetër të transmetimit (resurs të pakufizuar). Shteti obligimin për operim me dy multipleksë të mëtejshëm – dhe praktikisht implementimin e dixhitalizimit – ia besoi kompanisë „One”. Televizionet kombëtare që të mbesin tokësore nuk kishin zgjedhje tjetër, përveç se të lidhin kontratë me këtë kompani – thotë Jordanovska.

Edhe Goran Gavrillov thotë se shteti dhe organet kompetente janë sjellë shumë pa interesim për nevojat e transmetuesve privat, në kuptim të asaj se kjo është „puna e juaj private”.
Si pasojë e kësaj, qytetarët e Maqedonisë nuk fituan asgjë, shteti fitoi dhjetëra milionë euro në formë të doganave dhe tatimeve për televizorë të rinj, nga koncesioni për „One” -in, nga shitja e dividendës dixhitale tek tregu i telekomunikimeve për zhvillim të teknologjisë 4G për transmetim të të dhënave të internetit. Ose, me fjalë të tjera, përveç fitimeve për shtetin, procesi i dixhitalizimit të sinjalit televiziv nuk i solli dobi askujt, dhe aq më pak qytetarëve.

(Teksti është përpunuar në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis, në kuadër të projektit “Hartimi i digjitalizimit në Radiodifuzionin e Republikës së Maqedonisë”, e finansuar nga Independent Journalism Programs nga Londra.)