fbpx

Alma Janka: “ilaçi” më i mirë kundër disinformimit është edukimi mediatik

-

Në një intervistë për Portalb.mk, kryeredaktorja e Faktoje.al, shërbim i shqyrtimit të fakteve (fact-checking) në Shqipëri, Alma Janka thotë se “ilaçi” më i mirë kundër disinformimit është edukimi mediatik. Sipas saj, duhet të ketë një frymë më bashkëpunuese ndërmjet medias dhe aktorëve të tjerë që ndikojnë në tregun mediatik, të ketë respektim të kodit të etikës profesionale, parimeve të gazetarisë si dhe të mos lejohen publikimet që kanë për qëllim vetëm shtimin e klikimeve dhe nuk kanë asnjë lloj niveli përmbajtësor. Ajo tregon se politika në Shqipëri është shpesh bazë për shpërndarje të lajmeve të rrejshme, si dhe thotë se Maqedonia e Veriut ka patur vëmendjen e duhur në median shqiptare.

Intervistoi: Elida Zylbeari

 

Cilat janë manipulimet dhe disinformatat më të shpeshta mediale që qarkullojnë në Shqipëri?

-Besoj se manipulimet dhe disinformacionet më të shpeshta mediatike në Shqipëri lidhet ngushtësisht me spektrin politik. Një pjesë e madhe e politikanëve tentojnë të manipulojnë informacione që kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike, me arritjet e kryera në sektorin shëndetësor, arsimor , në infrastrukturë , zhvillime politike etj. Media (pa dashur ta përgjithësoj por një pjesë e saj), nëpërmjet manipulimit, përpiqet të fshehë të vërtetën ndërsa nëpërmjet disinformimit tenton ta relativizojë të vërtetën.  Manipulimet mediatike por kryesisht disinformacionet në Shqipëri gjejnë terren të përshtatshëm dhe të shpeshtë për fat të keq, në ato raste kur një rast korruptiv, një çështje me impakt të madh në publik apo një skandal i përmasave të mëdha tenton të ‘’mbulohet’’ më një tjetër skandal. Politika dhe politikanët në Shqipëri, në gjykimin tim, janë bërë shpesh protagonistë në situata të tilla. Në një farë mënyre media reflekton edhe shoqërinë e një vendi, dhe si e tillë nuk mund të mos jetë ‘’vegël’’ e manipulimit apo disinformimit.

Si e lufton media juaj vrullin e disinformatave që shpërndahen në media dhe më gjërë?

Faktoje.al është shërbim i shqyrtimit të fakteve, është një media online që verifikon deklarata dhe pretendime të bëra në sektorë të ndryshëm të jetës. Faktoje.al lufton vrullin e disinformacioneve që shpërndahen në media dhe më gjerë duke u përpjekur fortë të sjellë tek audienca vetëm të vërtetën dhe kjo, bazuar gjithmonë dhe në çdo rast vetëm në fakte. Me qëllimin për të minimizuar sa më shumë informacionet e pavërteta apo të rreme, Faktoje.al shkon përtej përcjelljes së njëanshme të një lajmi (qoftë deklaratë apo konferencë për shtyp, e dhënë apo statistikë), por e verifikon atë në më shumë se një burim për të kuptuar sa më mirë vërtetësinë apo pavërtetësinë përkatëse. Duke sjellë të vërtetën (edhe nëse ajo është e hidhur) tek audienca, duke ofruar fakte të patjetërsueshme, Faktoje.al u jep mundësinë njerëzve të bëjnë diferencën ndërmjet, të bëjnë pse jo zgjedhjen e duhur, i ndihmon ata të jenë më selektivë apo u tregon se kush bën çfarë, kush gënjen apo kush thotë të vërtetën.

 

A ka “ilaç” kundër shpërndarjes së disinformatave? 

Do doja shumë të thoja me gojën plot që ka, por besoj se ky ‘’ilaç’’ nuk është tërësisht kurativ, që do të thotë se edhe nëse ekziston, nuk funksionon. Megjithatë do preferoja të tregohem optimiste në këtë drejtim.  Unë them se ‘’Ilaçi’’ më i mirë është edukimi mediatik, duhet të kemi gjithashtu një frymë më bashkëpunuese ndërmjet medias dhe aktorëve të tjerë që ndikojnë në tregun mediatik, respektimi i kodit të etikës profesionale, respektimi i parimeve të gazetarisë, moslejimi i publikimeve që kanë për qëllim vetëm shtimin e klikimeve dhe nuk kanë asnjë lloj niveli përmbajtësor, sanksionimi me ligj apo penalizimi i rasteve kur disinformimi prevalon mbi lajmin, ose rregullimi I kuadrit ligjor për të parandaluar disinformimin apo lajmet e rreme etj.  Përpos këtyre do shtoja edhe ndërgjegjen individuale. Kjo e fundit mund të bëjë çudira…

A ka Qeveria e Shqipërisë plan për të luftuar disinformatat dhe sa është ajo aktive në këtë çështje?

Edhe nëse qeveria shqiptare ka një plan të tillë, duket se nuk ka rezultuar efikas deri tani përsa kohë unë besoj se ka një përpjekje të vazhdueshme për të çorientuar opinionin publik, përsa kohë ky opinion publik e ka të vështirë të njihet me të vërtetën, por në jo pak raste manipulohet edhe prej vetë qeverisë.  Qeveria aktuale që në fillimet e qeverisjes së saj(2013) pretendonte se ka patur një propagandë intensive për të disinformuar publikun apo qytetarët dhe për të krijuar tek ata një ndjenjë dyshimi dhe pasigurie. Jam e mendimit se një situatë e tillë vijon të përshkojë qytetarët, nga i gjithë spektri politik shqiptar dhe jo vetëm qeveria. Faktoje.al është një e mirë që u vjen në ndihmë qytetarëve në këtë aspekt.
Qeveria shqiptare pati në nismë në këtë kuadër duke hartuar projektligje për  rregullimin e medias në internet, rregullimin e medias në internet, por 2 projekt-ligjet u cilësuan si censurë ndaj fjalës së lirë. Gjithashtu mesa di unë, qeveria shqiptare vitin e kaluar propozoi edhe ndryshime në ligjet që kanë të bëjnë me median.

A ka në Shqipëri raste gjyqësore për nxitje dhe shkaktim të rrezikut, panikut ose frikës së përgjithshme në opinion përmes shpërndarjes së disinformatave si dhe gjuhës së urrejtjes?

Nuk mund të flas me kompetencë të plotë për këtë pyetje pasi nuk jam në dijeni të rasteve konkrete por në dijeninë time nuk ka ndonjë rast gjyqësor të tillë.

Sa janë aktive shoqatat mediale shqiptare në luftën kundër disinformimit?

Mendoj se shoqatat mediatike mund të bënin dhe të bëjnë më shumë në këtë drejtim dhe gjithmonë ka vend për përmirësim. Megjithatë nuk mungojnë nismat, aktivitetet apo veprimtaritë e ndryshme të organizatave apo shoqatave që veprojnë në luftën kundër disinformimit.  Në këtë aspekt psh., u ndërmorën një sërë veprimesh në kuadër të të ashtuquajturës “paketë anti-shpifje” të qeverisë Rama më herët nga shoqata mediatike dhe aktorë të tjerë me arsyetimin se këto dy projektligje rrezikonin ta kthenin Shqipërinë në një vend jodemokratik, cënonin rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin.

Si është e prezantuar Maqedonia e Veriut në mediat e Shqipërisë?

Besoj se Maqedonia e Veriut ka patur vemendjen e duhur në median shqiptare. Në përgjithësi drejtues të mediave të ndryshme kanë tendencën dhe predispozitën t’i japin hapësirë të mjaftueshme zhvillimeve në rajon dhe Maqedonia ka qenë pjesë mjaft e rëndësishme në këtë drejtim. Marrëdhëniet dypalëshe, arritja e një sërë marrëveshjeve apo bashkëpunimet mes dy vendeve në fusha të ndryshme, takime e diskutime mes liderësh , apo zhvillimet e mëdha politike në atë vend së fundmi, e të tjera motive, kanë bërë që Maqedonia e Veriut të prezantohet mjaftueshëm në mediat shqiptare dhe me objektivitet.

A ndodh të ketë disinformata për Maqedoninë e Veriut në mediat shqiptare dhe cilat janë më të shpeshtat? 

Nuk do guxoja të përgjithësoja të gjitha mediat shqiptare duke thënë se ka disinformim në to për Maqedoninë e Veriut, por edhe mund të ketë ndodhur një gjë e tillë. Unë zgjedh të informohem në kanale të ndryshme mediatike (media tradicionale ose jo), por nuk mundem t’i ndjek të gjitha ato për të dhënë një konkluzion të saktë për këtë pyetje. Ndoshta më herët ka patur edhe më shumë disinformim për çështjen e kontestit të emrit me Greqinë apo çështje të tjera sensitive, megjithatë nuk do preferoja të artikuloja ndonjë opinion personal për këtë.

Kohëve të fundit keni pasur protesta opozitare, mesazhe nga pushteti, opozita dhe ndërkombëtarët… a pasqyrohet problemi në mënyrë reale në mediat e Shqipërisë?

Është e vërtetë që në vendin tonë ka patur një sërë protestash (dhe jo vetëm nga opozita, pasi pak kohë më parë u zhvilluan edhe protesta nga studentët). Nëse do ta trajtonim median shqiptare si një e tërë, po, do thoja që problemi është pasqyruar në të, por nëse flasim për media specifike,  mendoj se problemi është paraqitur sipas interesave të secilës prej tyre (në varësi të qëndrimeve politike të pronarëve apo drejtuesve të mediave që favorizojnë një parti apo një tjetër kundërshtare).  Besoj se janë të pakta mediat në Shqipëri që e paraqesin realitetin siç është në të vërtetë.

A ka boshllëqe ligji për mediat ose legjislacioni mediatik në Shqipëri? Cilat janë disa nga problematikat dhe çfarë mund të bëhet për ta përmirësuar këtë kuadër ligjor? Vendimi i qeverisë për të mbyllur ose ndaluar lojërat e fatit a pati ndikim tek mediat?

Mendoj se ligji për ndalimin e basteve apo lojërave të fatit ndikoi edhe tek mediat, sidomos në një pjesë të tyre (media tradicionale e të tjera), duke qenë se një pjesë e financimeve të drejtpërdrejta apo indirekte u shkonin këtyre mediave nga këto biznese apo nga reklamat.

Jam e mendimit se ligji ka disa boshllëqe dhe për këtë duhet rishikuar kuadri ligjor. Sipas meje duhen zhvilluar në vazhdimësi takime e bisedime me përfaqësues të mediave për të nxjerrë në pah problematikat dhe për të parë se çfarë mund të përmirësohet. Janë të nevojshme fushata ndërgjegjësuese apo fushata informuese me palët respektive; si media, institucionet dhe organizma të ndryshme që janë dhe shërbejnë në funksion të media.

Disa nga problemet me të cilat përballet media në Shqipëri sipas meje janë: Përqendrimi i medias në duart e pushtetit ose thënë ndryshe përdorimi i medias si pushtet i katërt, si një ‘’vegël’’ ose instrument nga 3 pushtetet e tjerë; manipulimi i së vërtetës dhe disinformimi me qëllim për të shpërqendruar opinionin publik; mungesa e besueshmërisë tek mediat; raportimi larg standardeve të gazetarisë dhe në jo pak raste i bazuar tek perceptime dhe opinione personale dhe aspak me objektivitet; ‘’lufta për klikime’’ e në këtë rast mund të përmendim p.sh scoope-et e përdorura në tituj dhe që nuk kanë asnjë lidhje me lajmin.
Për të shmangur të gjitha këto sa thashë më lart, “Faktoje.al’’ punon fort për të ofruar vetëm të vërtetën dhe duke ruajtur e duke përdorur standardet më të larta të gazetarisë. Ne duhet të bëjmë që e vërteta të shesë dhe jo disinformimi, duhet të përpiqemi që e vërteta të klikohet dhe jo manipulimi.

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.