Atmosfera politike në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit është ngarkuar ku ndërhyrjet e Beogradit dhe retorika përçarëse mund të cenojnë zhvillimin normal të procesit zgjedhor. Fushata e cila do duhej të përqendrohej në çështje lokale si zhvillimi ekonomik, shërbimet komunale dhe përfaqësimi qytetar, është shndërruar edhe në garë me tone gjeopolitike dhe akuza për ndikim të jashtëm.
Qeveria e Kosovës ka ngritur alarmin për ndërhyrje sistematike nga Serbia, përmes strukturave shtetërore dhe joformale, në përpjekje për të orientuar rezultatin e zgjedhjeve në veri të vendit dhe për ta mbajtur komunitetin serb nën kontroll të plotë politik përmes Listës Serbe. Në anën tjetër, Beogradi zyrtar ka mohuar akuzat për ndërhyrje, duke e justifikuar përfshirjen me narracionin e vjetër se “Kosova është Serbi”. BE-ja ka bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe pa ndikim.
“Ndërhyrja e Serbisë më e rëndë se ajo e Rusisë”
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se veprimet e Beogradit paraqesin kërcënim serioz për demokracinë dhe sovranitetin e Kosovës, në prag të zgjedhjeve lokale.
“Premtimet për vende të punës, joshja përmes mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me benificione sociale, si dhe deklaratat se ‘vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë’ – siç bëri tash së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, tash këshilltar i presidentit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë edhe vet presidenti i Serbisë Vuçiq – janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë”, tha Kurti.
Ai kujtoi se Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025 kishte dokumentuar ndërhyrjen e Serbisë, ndërsa BE-ja, sipas tij, “nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Beogradit”.
“Andaj, Serbia nuk ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje që bën Serbia në zgjedhjet në Kosovë është edhe më e rëndë sesa ajo e Rusisë në Evropë”, shtoi Kurti, duke kërkuar që BE-ja të reagojë dhe të sanksionojë Beogradin për shkeljen e parimeve të fqinjësisë së mirë dhe të Marrëveshjes Bazë të Brukselit.
Vuçiq dhe premtimet elektorale: punësim e “mbrojtje të serbëve”
Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka përdorur javën e fundit të fushatës për të promovuar lidhjen emocionale dhe ekonomike të Serbisë me serbët në Kosovë. Në një deklaratë të bërë në Beograd, ai njoftoi se “400 vende të reja pune do të hapen në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë në dhjetë ditët e ardhshme,” duke theksuar se “Serbia gjithmonë do të kujdeset për serbët në Kosovë”.
Në të njëjtën frymë, Vuçiq paralajmëroi edhe një marsh në Beograd më 11 tetor, që do t’i kushtohet mbështetjes për popullin serb në Kosovë duke tentuar ta paraqesë ndërhyrjen politike si një “akt solidariteti kombëtar.” Kjo përpjekje për të lidhur fushatën elektorale në Kosovë me diskursin nacionalist të brendshëm në Serbi mund të krijojë klimë tensionuese, që sfidon drejtpërdrejt institucionet të Kosovës.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, është shndërruar në një nga zërat kryesorë të fushatës pro-Listës Serbe. Në një postim në X, ai shkroi se “Beogradi nuk po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë dhe M, sepse Kosova është Serbi”, duke e akuzuar kryeministrin Kurti për “dhunë institucionale” dhe “terror ndaj serbëve në veri”, narrativë kjo e pambështetur në fakte që proklamohet në vitet e fundit.
Ai u bëri thirrje të gjithë serbëve të Kosovës dhe të zhvendosurve në Serbi që të kthehen për të votuar për Listën Serbe – duke e paraqitur këtë si “detyrim kombëtar për t’i rikthyer komunat veriore në duart e serbëve”.
Presioni ndaj partive serbe alternative, Rashiq flet për “metoda brutale”
Në anën tjetër, zërat opozitarë brenda komunitetit kanë raportuar për një atmosferë frike dhe presioni. Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, deklaroi së fundi se fushata në veri po zhvillohet nën trysni brutale dhe shantazhe të hapura ndaj kandidatëve dhe qytetarëve që nuk përkrahin Listën Serbe”.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe po shkojnë derë më derë, po i ofrojnë njerëzve vende pune në sektorin e shëndetësisë në këmbim të votës, dhe madje kërkojnë që të bëhet foto gjatë votimit”, tha Rashiq, duke shtuar se kjo praktikë është bërë pjesë e përhershme e zgjedhjeve që nga marrëveshja e Brukselit e vitit 2013.
Sipas tij, përveç veriut, praktikat e presionit dhe përjashtimit social po ndodhin edhe në Anamoravë, ku qytetarë të përfitues nga subvencione shtetërore janë përjashtuar nga listat sociale për shkak të mbështetjes për parti të tjera serbe.
Siguria dhe roli i KFOR-it në prag të zgjedhjeve
Për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve, forcat ndërkombëtare sikurse KFOR-it kanë intensifikuar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Oezkan Ulutash, ka zhvilluar takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Gjeneralmajor Ulutaş theksoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar kontributin për siguri në të gjithë Kosovën dhe në stabilitetin rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve”, deklaruan nga KFOR-i.
Presidentja Osmani e cilësoi KFOR-in si partner kyç në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë, ndërsa Kurti theksoi se siguria e procesit zgjedhor mbetet prioritet.
BE-ja kërkon zgjedhje të lira dhe pa ndërhyrje
Këto takime vijnë në një moment kur BE-ja dhe partnerët perëndimorë po kërkojnë zhvillim të qetë të zgjedhjeve, tek i shohin ato si një mundësi për rikthimin gradual të serbëve në institucione.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për zhvillim paqësor të zgjedhjeve lokale dhe ka theksuar nevojën për mospërfshirje të aktorëve të jashtëm.
“U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që të sigurojnë zhvillim paqësor dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve lokale në Kosovë,” tha një zëdhënës i BE-së, duke nënvizuar se Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 parasheh që zgjedhjet lokale të zhvillohen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane.
Sipas BE-së, raportet e mëhershme të Misionit Vëzhgues kanë dokumentuar presione dhe mungesë pluralizmi politik brenda komunitetit serb, ku dominimi i Listës Serbe është mbajtur përmes frikësimit dhe kontrollit të strukturave paralele. Pavarësisht kësaj, BE-ja nuk ka vendosur masa ndaj Beogradit, ndërkohë që masat ndëshkuese ndaj Kosovës mbeten ende në fuqi për shkak të tensioneve në veri.
Zgjedhjet e 12 tetorit, më shumë sesa një proces për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, ato do të jenë test për aftësinë e Kosovës për të mbrojtur procesin demokratik përballë ndërhyrjeve të jashtme, si dhe të garantojë gjithëpërfshirjen në zgjedhje.