Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në një takim pune në selinë e BDI-së në Tetovë, Shefen e Misionit të OSBE në Shkup, Ambasadoren Nina Suomalainen në të cilin, siç njoftojnë nga partia, është diskutuar për situatën pas- zgjedhore në Maqedoni dhe për qëndrimet e BDI-së lidhur me situatën e krijuar.
“Ahmeti foli për fushatën tendencioze të orkestruar kundër tij dhe BDI-së në dy vitet e fundit dhe tha që tani ka ardhur koha që e vërteta të del në shesh, për çdo akuzë, për çdo shpifje, për çdo paqartësi dhe për çdo dilemë. Ahmeti është i vendosur që drejtësia ta thotë fjalën e vet dhe të largon të gjitha dyshimet tendencioze dashakeqe mbi figurën e tij dhe të BDI-së, e drejta duhet të ngadhënjejë.
Ahmeti fton liderët e partive politike që t’i bashkëngjiten në apelin drejtuar policisë, ushtrisë, administratës shtetërore dhe të gjithë qytetarëve që të punojnë me paprekshmëri dhe qetësi, në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit shtetëror.
Në njoftimin e BDI-së thuhet edhe se Ahmeti i ka ftuar miqtë ndërkombëtarë që mos të ngelin indiferentë ndaj ngjarjeve në vend.