Xhaferi dhe Zaevi hapin premierën e sezonit të ri politik në Kuvend


Shkup, 30 Maj, 2017 - 12:18 (META) 

Në Kuvendin e R. së Maqedonisë, sot në orën 11, fillon procedura për emërimin e Qeverisë së re, që sipas nenit 112 nga Rregullorja, mund të zgjat maksimum dy ditë.

Kjo është seanca e parë me të cilën do të udhëheq Talat Xhaferi dhe e para ku Zoran Zaev do të ketë fjalim në cilësinë e mandatarit.

Pas krizës më të gjatë politike, ku edhe VMRO DPMNE edhe presidenti Gjorge Ivanov akuzonin për tentim të prishjes së karakterit unitar të shtetit, Zaev mori mandatin për formimin e qeverisë së re më 17 maj të këtij viti.

Debati i vetëm për përbërjen dhe programin e qeverisë së re do të duhet të përfundoj me votim deri nesër pas mesnate. Sipas deklaratave të liderëve të partive politike, nga shumica e re parlamentare, nuk pritet të ketë problem sepse mbështetje për Qeverinë e Zaevit premtuan edhe BDI edhe Aleanca për Shqiptarët të cilët janë pjesë e saj, por edhe nga Besa edhe pse nuk do të jetë pjesë e Qeverisë. Me 49 deputetë të LSDM, 10 të BDI, 5 të Besës dhe tre të Aleancës, Qeveria do të ketë mbështetje nga 67 deputetë gjegjësisht pritet të arrihet paragrafi 4 i Rregullores së Kuvendit sipas të cilit, qeveria zgjidhet me shumicë deputetësh nga 120 anëtarë.

VMRO DPMNE pas heshtjes njëditore, dje konfirmoi se deputetët e saj do të marrin pjesë në seancë pasi gjatë ditës disa herë akuzoi se afati që u është dhënë deputetët për shqyrtimin e përbërjes dhe programit të Qeverisë, është shumë i shkurtër.


VMRO DPMNE nuk tregon nëse nesër do të merr pjesë në seancën parlamentare


Shkup, 29 Maj, 2017 - 12:15 (META) 

VMRO DPMNE ende nuk ka njoftuar nëse deputetët e tyre do të marrin pjesë në seancën e nesërme parlamentare ku duhet të debatohet lidhur me propozimin e Zoran Zaevit për qeverinë e re.

Seanca e nesërme është e para pas emërimit të Talat Xhaferi për kryetar kuvendi.

Përzgjedhjen e tij, VMRO DPMNE e quajti “jolegjitim, jokushtetues dhe në kundërshtim me Rregullore”.

Nga partia thonë se qëndrimin rreth seancës së nesërme do ta njoftojnë së shpejti, por janë të befasuar nga afati i shkurtë që u është dhënë deputetëve për t’u njoftuar me programin dhe përbërjen e Qeverisë.

Nga 27 prilli, Talat Xhaferi kishte takime kryesisht me ambasadorë

Ndryshe, Xhaferi dje nga mandatari Zaev pranoi propozimin për përbërjen e Qeverisë dhe programit për mandatin e saj. Deri tek kryetari i Kuvendit janë dorëzuar  15 minuta para mesnatës ndërsa Xhaferi menjëherë të dy dokumentet i ka dorëzuar deri tek deputetët ndërsa seancën për zgjedhjen e Qeverisë e ka thirrur për nesër në ora 11.

 


LSDM: Me Besën nuk kemi marrëveshje, ngelim të hapur për bashkëpunim


Shkup, 28 Maj, 2017 - 15:57 (META) 

LSDM me kumtesë ka njoftuar se me Lëvizjen Besa nuk kanë arritur marrëveshje rreth disa çështjeve, por se ngelen të hapur për bashkëpunim rreth reformave.

“Ju njoftojmë se në lidhje me bisedimet me partinë BESA, edhe pse u pajtuam se bashkërisht e ndajmë përcaktimin për reforma urgjente për zhvillim demokratik të Maqedonisë, për një pjesë të pyetjeve nuk arritëm marrëveshje. Kemi mbetur të hapur për bashkëpunim rreth përkrahjes së reformave që pasojnë në Maqedonisë, si dhe për gjithçka tjetë që është në interes të gjithë qytetarëve”, kanë thënë nga LSDM.

Lëvizja Besa sot ka seancë të kryesisë partiake ndërsa konferencë shtypi për vendimet e marra paralajmëruan në orën 15.

 


Zaev: Me gjithë fuqinë time do të luftoj kundër ndasive që dobësuan shoqërinë


Shkup, 27 Maj, 2017 - 17:39 (META) 

Jetë në Maqedoni për të gjithë. Prej sot ky është obligimi jonë i përbashkët. Kjo nuk është fundi i betejës për jetën që e zgjodhëm. Ky është vetëm fillimi, ka thënë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në fillim të kongresit të 22-të të partisë që është mbajtur sot në hotelin “Aleksandar Palace”.

“Prej sot, para nesh hapet një fushë e madh për ripërtëritjen e shoqërisë dhe jetëve tona. Patjetër duhet të fokusohemi në atë që na bashkon e jo në atë që na ndan. Dallimet janë forca jonë dhe me gjithë fuqinë time do të luftoj kundër ndasive që e dobësuan shoqërinë. Së bashku mundemi”, ka deklaruar Zaev.

Lideri i LSDM-së nga delegatët e pranishëm kërkoi që të jenë të përgjegjshëm sepse, siç tha, sfida është historike.

“Së bashku me shkatërruar regjim me stilograf dhe fjalë. Besoj që ndërgjegjja jonë për partinë dhe qytetarët është në nivel të lartë. Të mos lejojmë të udhëhiqemi nga pasionet e ulëta politike pa marrë parasysh mes nesh apo mes kundërshtarëve tanë politike”, ka shtuar Zaev.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe ish presidenti dhe kryeministri i shtetit, Branko Cërvenovski i cili mori një duartrokitje të fuqishme nga të pranishmit.


LSDM sot në kongres do ta rizgjedh Zaevin


Shkup, 27 Maj, 2017 - 11:24 (META) 

Në hotelin “Aleksandar Palace” në Shkup do të mbahet kongresi i 22-të i rregullt i LSDM, ku krahas pikave tjera, do të bëhet rizgjedhja e Zoran Zaevit për kryetar i partisë si dhe do të zgjidhet përbërja e re e Këshillit Qendror.

LSDM në fillim të muajit shpalli konkurs për vet- kandidim të personave të interesuar për postin e kryetarit të partisë dhe anëtarëve të Këshillit Qendror ndërsa siç njoftuan nga LSDM, Zaev është kandidati i vetëm për funksionin më të lartë.

LSDM paralajmëroi pjesëmarrjen e rreth 700 delegatëve në Kongres. Nuk dihet nëse ata krahas pikave tjera, do të informohen për përbërjen e qeverisë së re, të cilën do ta udhëheq Zaevi sepse bisedimet me partitë nga blloku shqiptar me BDI-në, Besën dhe Aleancës për shqiptarët nuk janë shterur.

Zaev dje për pamjen e qeverisë së re dhe zgjidhjet kadrovike bisedoi me Ali Ahmetin, Zijadin Selën dhe Bilall Kasamin ndërsa paralajmëroi se bisedimet do të vazhdojnë edhe sot, nëse ngel kohë pas kongresit ndoshta edhe nesër.

Nga Besa pas bisedimeve theksuan se partia nuk do të heq dorë nga parimet e saja dhe se nuk do të bëj kompromise lidhur me kërkesat e partisë të adresuara për LSDM-në.

Kreu i LSDM-së shprehi shpresë se deri nesër do të përmbyllen bisedimet, që gjatë javës së ardhme Maqedoni të ketë qeveri të re reformuese.


Zaev: Vështirë që sonte do ta dorëzoj përbërjen e Qeverisë në Kuvend


Shkup, 26 Maj, 2017 - 18:01 (META) 

Lideri i LSDM-së dhe mandatari për përbërjen e Qeverisë së re, Zoran Zaev sot para takimit me kreun e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në Kuvendin e Maqedonisë, ka deklaruar se thuajse s’ka gjasa që sot ta dorëzoj në Kuvend përbërjen e Qeverisë së re.

“Nuk besoj që sot do të arrijmë. Bëjmë përpjekje. Kjo varet nga të gjitha partitë politike. Para pak kohe u pamë me dy partitë tjera ndërsa tani do të takohemi me Besën. Di të bisedojmë deri vonë, por vështirë se sot do të dorëzoj propozim me emrat e ministrave për përbërjen e re të Qeverisë”, ka thënë Zaev.

 


Zaev pasnesër në kongresin e LSDM-së do të jetë kandidati i vetëm për kryetar


Shkup, 25 Maj, 2017 - 12:46 (META) 

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev pas darkës së djeshme në Bruksel me Federika Mogerinin dhe kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, pasnesër në kongresin partiak e pret riemërim për lider të ri të LSDM-së. Zaev është kandidati i ri për kryetar partie që do të zgjidhet në kongresin e 22 të rregullt që do të mbahet në hotelin “Aleksandar Palace”, njoftojnë nga LSDM për “Meta”.

Duke pasur parasysh se Kongresi pritet të mbahen një ditë pasi Zaev me siguri do ta dorëzoj propozimin për Qeverinë e re në Kuvend, pritet rreth propozimit të prononcohet Këshilli Qendror i partisë, para se i njëjti të dorëzohet në Kuvend për shqyrtim. Sipas burimeve të LSDM-së, ka mundësi seanca e KQ të mbahet këto di të para kongresit.

Në kongres do të zgjidhet edhe përbërja e re e KQ të partisë pasi mandati aktual skadon në qershor.

Konkurset për kryetar të ri dhe për anëtarë të Këshillit Qendror janë shpallur në fillim të muajit dhe në to kërkohet të bëhet sipas parimit të “vet- kandidimit”.


Zaev nesër në darkë me Mogerinin dhe kryeministrat e Ballkanit Perëndimor


Shkup, 23 Maj, 2017 - 16:13 (META) 

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev nesër në Bruksel do të merr pjesë në darkën joformale të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, konfirmojnë nga LSDM.

Mogerini javën e kaluar dërgoi ftesë deri tek gjashtë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor për darkë në Bruksel, por deri më sot zyrtarisht nuk dihej cili nga Maqedonia do të darkoj me Mogerinin, kryeministri teknik Emil Dimitriev apo kreu i LSDM-së.

Zaev për momentin është mandatar për formimin e qeverisë së re dhe ende nuk është kryeministër, por siç kumtojnë nga kabineti i Mogerinit, ai është ftuar në cilësinë e “të emëruarit për kryeministër”.

Tema kryesore e takimit do të jetë gjendja në rajon pas ngjarjeve të fundit “dhe si të gjithë mund të lëvizin përpara”.

Pas takimit nuk parashihen konferenca shtypi dhe deklarata, por nga zyra e Mogerinit njoftuan se do të dërgojnë kumtesë për detajet e bisedave.


Zaev dhe Sela kanë biseduar për çështjet e resorëve në Qeverinë e re


Shkup, 22 Maj, 2017 - 18:06 (META) 

Bisedimet po vijojnë me të gjitha partitë politike dhe besoj që do të fillojmë të flasim edhe për resorët dhe emrat e ministrave, ka deklaruar sot kreu i LSDM-së, Zoran Zaev para fillimit të takimit me kreun e Aleancës për Shqiptarë, Zijadin Sela.

“Më vjen mirë që në këtë pjesë bisedimet po ecin në drejtimin e duhur. Besoj se sot ose nesër do të fillojmë të bisedojmë edhe për resorët dhe emrat. Më vjen mirë që edhe z. Sela është më mirë, që të mund të fillojmë bisedimet edhe me Aleancën për Shqiptarët” ka thënë Zaev.

Pas takimit asnjë nga liderët nuk u prononcua për mediat ndërsa nga LSDM përmes njoftimit informuan se tema e bisedës kanë qenë parimet e bashkëpunimit në qeverinë e re.

“Është biseduar për pozicionet fillestare rreth çështjeve së resorëve në Qeveri. Vazhdojnë bisedimet intensive me partitë e shumicës parlamentare rreth përbërjes së Qeverisë së re të RM-së”, shkurtë informuan nga partia.


Zaevi dhe Ahmeti janë dakorduar që të merren vesh në mënyrë më intensive


Shkup, 19 Maj, 2017 - 17:02 (META) 

Lideri i LSDM-së dhe mandatari Zoran Zaev dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti sot nuk kanë biseduar për zgjidhjet kadrovike të ministrive resor dhe kjo temë është lënë për takimet e radhës, thuhet në njoftimin e shkurtë të LSDM-së pas takimit të dy liderëve.

Temat e takimit të sotëm, që është e para në suazat e bisedimeve mes LSDM-së dhe BDI-së për formimin e qeverisë së re, kanë qenë parimet e bashkëpunimit, qeveria reformuese dhe integrimet në NATO.

“Në periudhën e ardhshme do të intensifikohen dinamika dhe bisedimet mes dy partive, përfshirë edhe partitë që kanë dhënë mbështetjen për përbërjen e qeverisë së re të RM-së, pas çka do të kalohet në zgjidhje konkrete për ministritë resorë”, thuhet në kumtesën e LSDM-së për takimin.