!Më 1 shkurt 2017, përfundon periudha promovuese për shfrytëzim të lirë të lajmeve të “Meta”. Në periudhën e ardhshme do të zbatojmë sistemin e ri për qasje dhe parapagesë. Për mënyrën e qasjes dhe parapagesës do të ju njoftojmë në mënyrë plotësuese.

 “Standard”: Pjesëmarrja e Kurz në Shkup është e vonshme dhe pagesë e dobët për krizën e refugjatëve


       
Shkup, 30 Nëntor, 2016 - 14:29 (META) 

Pjesëmarrja e shefit të diplomacisë austriake, Sebastian Kurz në mitingun qendror të VMRO DPMNE-së në Shkup të dielën, është pagesë e vonuar dhe e keqe e borxhit ndaj autoriteteve të Maqedonisë për mbylljen e kufirit maqedonas- grek dhe për ndalimin e fluksit të emigrantëve drejtë Austrisë dhe Evropës Perëndimore, shkruan gazeta austriake “Standard”.

“Muajt e fundit shumëkush pyetet se çfarë fitoi qeveria e Maqedonisë me mbylljen e kufirit drejt Greqisë në muajin mars, të refugjatët të mos munden lehtë të arrijnë deri në Evropën Qendrore dhe Gjermani me çka përfundoi kriza e refugjatëve. Përgjigja nga Shkupi çdoherë ishte- asgjë. Prej ditës së diele të gjithë jemi më të mençur: çmimi e porositi personalisht ministri Sebastian Kurz i cili erdhi në Shkup për të mbështetur partinë nacionale- konservative të VMRO DPMNE-së në fushatën zgjedhore” thotë komenti i “Standard”.

Ky burim më tej shton, fakti që Kurz mbështet parti të këtillë tregon se mbështetja e demokracisë dhe sundimit të së drejtës janë poshtë në listën e prioriteteve ndërsa kjo ka pasoja edhe në BE e cila “po e humb kredibilitetin e saj”.

“Shumë prej partive në Evropën Juglindore janë shoqata kleptokratike që njerëzve u ofrojnë vende pune në këmbim të votave dhe i gënjejnë me doza nacionalizmi. Por, VMRO DPMNE është lider në renditjen negative, regjimi vitet e fundit është bërë më autoritar, duke kontrolluar policinë dhe gjyqësorin dhe përgjoi qytetarët” shkruan më tej “Standard”.

Qëndrim identik ka edhe javorja belge “New Europe” që poashtu thotë se pjesëmarrja e Kurz në fushatën e VMRO DPMNE është kthim i shërbimit të partisë maqedonase në pushtet për ndihmën e saj rreth mbylljes së rutës ballkanike.

“Deklarata e tij (e Sebastian Kurz v.j ) për anëtarësimin e (Maqedonisë në BE) është në kundërshtim direkt me frymën e raportit të KE-së për progresin e vendit, ku flitet për robërim të instancave demokratike, shkeljen e lirisë së fjalës dhe sundimit të së drejtës” shkruan “New Europe”.

Pjesëmarrjen e shefit të diplomacisë austriake në mitingun e VMRO DPMNE-së e kritikuan shumë politikanë evropian.

KE nuk deshi të komentoj vizitën e këtillë të Kurz. Nga Bruksel për “Meta” deklaruan se qëndrojnë prapa deklaratës së 18 nëntorit që e dha euro- ambasadori Zhbogar dhe ambasadorët  e vendeve- anëtare të BE-së në Maqedoni për zgjedhjet e ardhshme, ku ka thirrje për ndarjen e partisë nga shteti.