Sindikata e gazetarëve edhe juridikisht do të luftojë për mbrojtjen e të drejtave autoriale


       

Shkelja e të drejtave autoriale të gazetarëve, fotoreporterëve dhe incizuesve nga ana e mediave do të jetë temë e mbrojtjes dhe ndihmës juridike nga ana e Sindikatës së pavarur të gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë (SPGPM), u tha në konferencën e sotme për shtyp të Sindikatës.

– Të drejtat autoriale duhet të respektohen dhe mediat duhet ta ndërpresin praktikën që të jenë pjesëmarrëse në shkeljen e tyre, për shkak se ato janë të mbrojtura edhe në aspekt etik edhe me ligj. Respektimi i të drejtave autoriale është vlerë themelore. Mosrespektimi është njëri nga shkeljet më të mëdha edhe sipas Federatës ndërkombëtare të gazetarëve. Aq më tepër, ato janë të mbrojtura edhe me Ligjin për të drejtat autoriale edhe me Kodin Penal – potencoi kryetarja e SPGPM-së, Tamara Çausidis.

Çdo gazetar, fotoreporter apo incizues që në të ardhmen do t’i drejtohet Sindikatës me mendim se të drejtat e tij autoriale janë shkelur do të marrë ndihmë juridike në proces gjyqësor, u sqarua në konferencën për shtyp.

– Fotografia, videoja, kolumnat, komentet, qëndrimet, analizat dhe format e tjera gazetareske janë të mbrojtura me ligj dhe shpeshherë merren në mënyrë të palejueshme në mediat e tjera. Lajmi, gjegjësisht informata në lajm nuk i nënshtrohet mbrojtjes ligjore, mirëpo kopjimi i lajmit, gjegjësisht i ashtuquajturi “copy-paste” poashtu do t’i nënshtrohet mbrojtjes, mirëpo në atë rast do të parashtrohen ankesa në Këshillin për etikë të mediave të Maqedonisë – shtoi Çausidis.

Në konferencën për shtyp u theksua se shkelësit më të shpehtë të të drejtave autoriale në media janë portalet në internet, mirëpo jo rrallë këtë e bëjnë edhe mediat tradicionale, para së gjithash televizionet. Me këtë rast, cak, kryesisht janë fotografitë, e pastaj tekstet autoriale.

Robert Atanasovski, anëtar i udhëheqësisë së SPGPM-së, theksoi se ka fotoreporterë të papunësuar, e ka paralajmërim edhe për formimin e një foto-agjencie dhe se për mediat në të ardhmen do të jetë më lirë t’i përdorin format ligjore, se sa marrjen joligjore, gjë që në fund të fundit e dëmton edhe tregun, gjegjësisht konkurrencën, e poashtu e nënçmon edhe punën e bërë.

– Fotoreporteri ndonjëherë mund ta bëjë fotografinë për pesë minuta, e ndonjëherë edhe për pesë orë, shpeshherë duke qëndruar edhe në mot të keq gjatë ngjarjes. Do ta publikojë atë në medien e tij, dhe pas pesë minutash do ta shihni se edhe fotografia edhe lajmi janë marrë nga faqet e tjera, për çfarë konkurrence në treg dhe për çfarë respektimi të mundit dhe të të drejtave autoriale – thotë Atanasovski.

Nga SPGPM-ja theksuan se ato nuk do t’i monitorojnë mediat, por do të veprojnë dhe do të sigurojnë ndihmë juridike vetëm në qoftë se gazetarët dhe fotoreporterët ose incizuesit do t’u drejtohen atyre me mendim se janë shkelur të drejtat e tyre autoriale.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.