!Më 1 shkurt 2017, përfundon periudha promovuese për shfrytëzim të lirë të lajmeve të “Meta”. Në periudhën e ardhshme do të zbatojmë sistemin e ri për qasje dhe parapagesë. Për mënyrën e qasjes dhe parapagesës do të ju njoftojmë në mënyrë plotësuese.

Shkarkohet zyrtari qeveritar i Sllovenisë pasi nuk u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve


       
Lubjanë, 22 Shkurt, 2017 - 19:52 (META) 

Një zyrtar qeveritar i Sllovenisë është pushuar nga puna pasi nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e parashtruara nga gazetarët gjatë intervistës.

Ndryshe, qeveria sllovene ka shkarkuar shefin e sektorit për energji ripërtëritëse, Tilen Smolnikar, një ditë pas intervistës turpëruese me gazetaren Lea Majcen, ku shihet se ai nuk ka njohuri elementare për punën e tij.

Gjatë përpjekjes që Majcen të intervistojë Smolnikarin, më 16 shkurt, pas konferencës së shtypit të Ministrisë së infrastrukturës në Bërdo të Kranjës, ai qartë kishte treguar mungesë njohurie në lëmin e tij. Gazetarja ka tentuar t’i parashtroj dhjetëra pyetje rreth shpenzimeve dhe të ardhurave qeveritare për energji ripërtëritëse dhe mulli me erë, ku ai nuk është përgjigjur.

Në intervistë për televizionin kroat RTL, Majcen më vonë deklaroi se mediumi për të cilin punon, ka vendosur të publikojë intervistën sepse është parë qartë se një funksionar i lartë nuk ka njohuri elementare ndërsa obliguesit tatimor slloven i kanë siguruar rrogë prej 2600 euro.

Ndryshe, Majcen është gazetare e re televizive, e cila kishte filluar punën para gjashtë muajve për “Kanal A”.