fbpx

PSP hapi rastin “Tanku” për “Mercedesin” e Gruevskit prej 600.000 euro

-

PSP ka hapur dy procedura të reja hetimore nën emrin operativ “Tarifa” dhe “Tanku”. Edhe pse në njoftimin e sotëm për hetimin “Tanku” nuk përmendet konkretisht, është e qartë se bëhet fjalë për blerjen e “Mercedesit” prej 600.000 euro ndërsa lënda “Tarifa” është për furnizimin publik të softuerit për nevojat e shoqatës aksionare “Elektranat e Maqedonisë” (ELEM), prej 4.092.420 euro, që asnjëherë nuk është vënë në përdorim, e në dëm të shtetit.

Në rastin “Tanku”, siç përmendet në njoftimin e PSP-së, të dyshuar janë dy persona që ngarkohen për keqpërdorime të pozitës zyrtare dhe autorizimeve në periudhën nga muaji shkurt deri në tetor 2012 e “për të plotësuar dëshirën e kryeministrit të atëhershëm” (Nikola Gruevski v.j) për blerjen e “automobilit special”.

“Në rastin konkret, ekziston dyshimi i bazuar se për ta plotësuar dëshirën e kryeministrit të atëhershëm për blerjen e një automobili special, e dyshuara e parë e ka nxitur të dyshuarin e dytë për ta keqpërdorur pozitën e vet zyrtare dhe gjatë kryerjes së furnizimeve publike, në mënyrë joligjore të autorizoj gjegjësisht të favorizoj operator të caktuar ekonomik dhe të blihet makinë nga një model i caktuar”, thuhet në njoftimin e PSP-së.

Prej këtu, shtojnë se “në kushte të  fuqisë së zvogëluar ekonomike dhe blerëse të Ministrisë, është vepruar kundër Ligjit për furnizime publike” dhe është favorizuar një kompani me atë që në dokumentacionin e tenderit janë përmendur më shumë specifikime teknike që tregojnë prodhimtari konkrete dhe modele tregtare gjegjësisht të një modelit konkret të automobilit.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari i dytë në procedurën për furnizime publike edhe pse ka qenë i vetëdijshëm për privilegjimin joligjor të një operatori të caktuar ekonomik, megjithatë ka marrë vendim për përzgjedhjen e ofertës më të volitshme dhe ka lidhur marrëveshje për furnizim publik të automobilit në vlerë prej 29.852.542 denarë dhe TVSH në vlerë prej 5.373.458 denarë ose rreth 572.780 euro”, thuhet në njoftimin e PSP-së.

Ndërsa në lëndën “Tarifa” të dyshuar janë shtatë persona, që gjithashtu ngarkohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve gjatë realizimit të furnizimit publik për nevojat e ELEM-it.

“Ekziston dyshimi i bazuar se është bërë keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit nga persona zyrtar dhe përgjegjës në procedurën për furnizime publike të softuerit- ERP sistemi për nevojat e SH.A ELEM, ku personat e dyshuar me mos- realizimin e pozitës zyrtare i kanë mundësuar personit juridik- konsorciumit, i cili më vonë ka fituar tenderin, të kualifikohet në fazën e dytë të bisedimeve gjatë furnizimit publik, edhe pse nuk kanë dorëzuar dokumentacion të plotë. Vlera e marrëveshjes kap vlerën prej 4.092.420 euro. Gjithashtu, ekziston dyshimi se një pjesë e të dyshuarve pa bazë kanë miratuar pagesa të mjeteve në emër të licencave për mirëmbajtjen e softuerit, në kundërshtim me kushtet e posaçme të marrëveshjes për furnizime publike, ku parashihet se pagesa në emër të licencave për mirëmbajtjen e softuerit do të realizohet në periudhë garantuese dhe post- garantuese, ndërsa kjo periudhë asnjëherë nuk ka filluar, sepse sistemi nuk ka qenë i zbatueshëm, me çka është shkaktuar dëm prej 456.560 euro” thonë nga PSP.

Ajo që është me rëndësi thelbësore në rastin konkret thonë nga PSP është se “nga provat del se sistemi i marrë në pjesën më të madh nuk është i zbatueshëm, edhe pse deri më tan gjithsej janë paguar rreth 3,700.000 euro, ndërsa sipas marrëveshjes për furnizime publike, sistemi është dashur të kompletohet deri më 11 shkurt 2013”.

Për dallim nga procedurat e mëhershme hetimore, që PSP i prezantonte në konferencë shtypi në zyrat e saja, për këtë dy raste opinionin e njoftoi përmes kumtesës.

Ndryshe, ja çfarë flasin ish kryeministri Nikola Gruevski dhe ish ministrja e brendshme, Gordana Jankuloska në bombën 31 që LSDM e publikoi më 13 maj 2015.

Jankuloska: Alo

Gruevski: Alo, Gorde, çfarë po bën?

Jankuloska: Mirë, ja, në shtëpi po shfletoj gazetat dhe ashtu…

Gruevski: Po të kërkoj për dy gjëra

Jankuloska: Tregoni…

Gruevski: Ato prospektet që mi le, të kujtohet?

Jankuloska: Po, po…Unë t’ju them, nuk ju bëra presion, por…

Gruevski: Ajo me shkronjën M…me shkronjën M…

Jankuloska: Epo, mirë, dakord…

Gruevski: Të mos flas tani kështu…

Jankuloska: Po, po. E di, e di…saktë…nëse keni gjasa të ma ktheni prospektin që ta bëjmë siç duhet, të mos gabojmë diç

Gruevski: Këtu para meje e kam, dy tjerat s’di ku janë…këto nuk të duhen dy.

Jankuloska: Nuk më duhen tjerat, ai që duhet është tek ju…hahaha

Gruevski: Po. I pash të tre, këtë e ndava, vazhdo me tjetrën, do të shohësh çfarë duhet më tej, çdo gjë komplet

Jankuloska: Po de…Më pas duhet të shoh saktë çfarë duhet. Haha. Më dërgoni…

Gruevski: Dhe është e rëndësishme që mbrapa, mbrapa të ketë ekrane, kur vozitem me të vegjlit

Jankuloska: Po, po, po…nuk është problem, aty kishte, më kujtohet kur e shfletova, pa problem edhe këtë do ta bëjmë…

Gruevski: Do të shohësh, ai është “full” si për…

Jankuloska: Po de po, jo, jo, mirë është…

Gruevski: Dihet.

Jankuloska: E kam fjalën, s’mund të ketë huqje  të këtij varianti…hahaha

Gruevski: Po, po.

Jankuloska: Ashtu, mrekulli.

Gruevski: Kështu që, nise procedurën, vazhdoje.

Jankuloska: Po, po, po, ne do ta bëjmë vetëm ma nisni prospektin, që të…

Gruevski: Nesër do ta kesh…

Jankuloska: Po, po, po, që të jetë siç duhet…tani mos të flas shumë…

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.