Plomp: Hapi i ardhshëm është formimi sa më shpejtë i Qeverisë


       
Shkup, 3 Maj, 2017 - 0:11 (META) 

“Vlerësoj se është pozitiv fakti që Kuvendi arriti të konstituohet si dhe të zgjidhet kryeparlamentari i pranuar qartazi nga BE-ja dhe SHBA-të. Hapi i radhës do të duhej të jetë formimi i Qeverisë së re, sa më shpejtë, aq më mirë, që vendi të mund të lëvizë para”, ka deklaruar ambasadori i Holandës në Maqedoni, Vaulter Plomp për televizionin Alsat –M”.

Ai konsideron se çfarëdo skenari tjetër nuk do të jetë i dobishëm për Maqedoninë dhe qytetarët.

“Vërtet shpresoj që interesat kombëtare të Maqedonisë do të mbizotërojnë mbi ato personale dhe partiake. Në fund vlerësoj se Kuvendi është vendi i vetëm ku mendimet e ndryshme duhet të ballafaqohen dhe të krijojnë debat të shëndoshë që do ta çojë vendin para”, ka shtuar Plomp.

Ambasadori holandez gjithashtu ka thënë se ka qenë i tronditur kur ka dëgjuar se ç’ka ndodhur të enjten në Kuvend.

Ai shton se hapi i ardhshëm do të ishte “hetimi i plotë dhe ndjekja e autorëve të veprave serioze penale si dhe eventualisht ndaj atyre që kanë lehtësuar apo nuk kanë bërë çmos që të pengojnë diç të tillë.

“Mendoj se ky është zhvillim normal i aktiviteteve pa dallim nëse bëhet fjalë për një vend anëtar të BE-së ose për një vend jashtë BE-së. Por do të them: përfundimisht është e rëndësishme për vendin që pretendon të bëhet anëtar i BE-së”, ka thënë Plomp.