Kreu i VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski mbajti takim me liderët e partive politike të koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”, ku tema kryesore kanë qenë rezultatet zgjedhore.
“Tema kryesore ishte analizimi i rezultateve zgjedhore gjegjësisht të gjithë përfaqësuesit e partive politike i treguan pikëpamjet e tyre rreth angazhimeve dhe rezultateve për atë që ndodhi në R. e Maqedonisë në ditën e zgjedhjeve. U shpalosën ide të ndryshme se si duhet vepruar më tutje koalicioni, ku u vërtetua legjitimiteti i përgjithshëm që kreu i VMRO-së tani si mandatar e ka nga koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” deklaroi Ilija Dimovski anëtari i Komitetit ekzekutiv i partisë.
Lidhur me platformën e përbashkët të partive shqiptare dhe bisedimet e paralajmëruara me BDI-në, Dimovski tha se drejtimet e bisedimeve janë pjesë përbërëse e programit zgjedhor të VMRO DPMNE-së dhe koalicionit.
“Nëse më pyetni për pozicionet e BDI-së, do të doja të them se ne i kemi saktësuar qëndrimet tona përmes intervistës së kryetarit Gruevski. Në takimin e sotëm ishte e qartë mospajtimi, sidomos nga ana e përfaqësuesve të partive politike të cilët përfaqësojnë komunitetet më të vogla etnike lidhur me platformën dhe shndërrimin e diskutimit në dialog binacional mes komuniteteve etnike” tha më tej Dimovski.
Megjithatë, ai nuk saktësoi se kur do të fillojmë bisedimet me BDI-në për formimin e qeverisë.
“Afatet janë të qarta, kështu që mendoj se s’ka asgjë kontestuese në këtë” tha Dimovski.