!Më 1 shkurt 2017, përfundon periudha promovuese për shfrytëzim të lirë të lajmeve të “Meta”. Në periudhën e ardhshme do të zbatojmë sistemin e ri për qasje dhe parapagesë. Për mënyrën e qasjes dhe parapagesës do të ju njoftojmë në mënyrë plotësuese.

Maskat kundër ajrit të ndotur, dhurata më e kërkuar e Vitit të Ri


       
Shkup, 27 Dhjetor, 2016 - 15:31 (META) 

Ndotja e ajrit në qytet ka rritur kërkesën për maska mbrojtëse nëpër barnatore dhe shitoret që merren me shitjen e tyre. Çmimi i tyre sillet prej 200 deri 899 denarë ndërsa më shumë kërkohen maskat me karbon që pastrojnë ajrin dhe i evitojnë grimcat PM 10.

“Maskat me karbon kushtojnë 899 denarë, por për momentin nuk kemi madhësi M dhe S, por vetëm L. Ka interes të madh për to dhe për këtë shumë shpejtë harxhohen. Deri më tani kemi porositur shumë, por janë shitur. Presim dërgesën e radhës” deklarojnë nga një prej barnatoreve të “Zegin”.

Maska të madhësisë M dhe S nuk ka në asnjë barnatore të “Zegin” në Shkup ndërsa L mund të gjendet vetëm në disa shitore.

Se kërkesa për maska është rritur tregojnë edhe nga barnatoret e “Eurofarm” ku maskat kushtojnë 200 denarë dhe janë për disa përdorime.

Nëpër rrjetat sociale gjithashtu mund të vërehet numër i rritur i konkurseve ku ofrohet jo vetëm shitje të maskave, por edhe pastrim të ajrit nëpër hapësira, por edhe bocelë me oksigjen.

Qytetarët, përveç në barnatore dhe shitoret speciale, maskat i porositin edhe nga platforma për shitje online “Aliexpress”, ku kushtojnë 10 dollarë dhe me ngjyra dhe zbukurime të ndryshme.