fbpx

Kuvendi nuk do të shpërbëhet, do të pres Buxhetin dhe Hanin, të enjten seancë plenare me agjendë të ngjeshur

-

Pasi që Kuvendi edhe zyrtarisht ka caktuar seancë plenare për të enjten (13 tetor), është e qartë se deputetët nuk do ta shpërndajnë të mërkurën (12 tetor).

Siç shkruante “Meta” arsyeja e parë është se debati  parlamentar për Buxhetin e vitit 2017, ende nuk është i përfunduar. Dokumenti, ende po shqyrtohet në komisionet kuvendore, ndërkaq më pas duhet edhe një herë të shkojë në seancë të Qeverisë, që të vendoset në rend dite në seancë plenare, në të cilën do të duhet të shqyrtohet më së paku 5 ditë.

Shpërbërja e Kuvendit, sipas të gjitha gjasave e pret edhe ardhjen e eurokomesarit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Jan, i cili do ta vizitojë Maqedoninë, të premten më 14 tetor.

Sipas paralajmërimeve, ai në Shkup do të takohet me partitë më të mëdha politike, dhe me prokuroren speciale, Katica Janeva dhe sektorin civil.

Informacioni për vizitën e Hanit vjen pas  vendimit të shumicës parlamentare që të mos i votojë kërkesat e Prokurorisë Speciale, për ndryshimet në ligjin për Prokurorinë Speciale, gjegjësisht vazhdimin e afatit për hetime, por edhe për ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Eurokomesari, i cili ka ndërmjetësuar për nënshkrimin e Marrëveshjes së Përzhinës, gjatë kohës së vizitës pritet që të diskutojë edhe për obstruksionet që i bëhen Prokurorisë Speciale, përgatitjet për zgjedhjet dhe për shpërndarjen e Kuvendit.

Parlamenti për t’u shpërberë, gjithashtu duhet që ndonjë deputet ose grup deputetësh të dorëzojnë iniciativë për shpërndarje, që të mundet kryetari i Kuvendit, ta vendosë në rend dite.

Edhe deputeti Pavle Trajanov, i cili javën e kaluar dorëzoi dy ligje në procedurë të rregullt parlamentare, thotë se Kuvendi mund të shpërbëhet më vonë deri në 27 tetor.

“Sa i përket ngushtimit të kohës, mund të them se në Kuvend sa vjen e më shumë flitet se shpërbërja nuk do të bëhet më 12 tetor, por kjo do të ndodh më së voni deri më 27 tetor. Arsyeja për këtë është propozim- buxheti për vitin 2017, që nëse Kuvendi shpërbëhet më 12 tetor, nuk do të mund të kaloj procedurën parlamentare “– thotë Trajanov.

Të enjten në seancën plenare të Kuvendit në rend dite janë caktuar disa pika, ndër të cilat edhe propozimi për vazhdimin e gjendjes së krizës në kufirin verior dhe jugor të vendit, për shkak të krizës së refugjatëve. Nëse propozimi miratohet, në  vend më 31 dhjetor të këtij viti, gjendja e krizës do të vazhdojë deri më 30 qershor 2017.

Në seancë do të diskutohet edhe për propozim- ligjin për ndryshim të Ligjit për punë të brendshme, me procedurë të përshpejtuar, për propozimin e përzgjedhjes së anëtarit të Këshillit Gjyqësore të Republikës së Maqedonisë etj.

Sipas asaj që partitë e përcaktuan në Marrëveshjen e Përzhinës, Kuvendi duhet të shpërbëhet 45 deri 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Tani për tani pritet që zgjedhjet të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti.

 

 

 

 

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.