fbpx

Kriza po merr hov më të madh, vlerësoi Sela pas takimit me Han

-

Kriza politika nuk ka përfunduar, dhe për fat të keq, po merr hov më të madh, deklaroi lideri i Aleancës për shqiptarë, Zijadin Sela, pas takimit me euro- komisarin për zgjerim, Johanes Han dhe treshen evropiane, Ivo Uajgl, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn.

“Mendoj se kësaj shoqërie i duhet debat, e jo gënjeshtra dhe dezinformata, e as të kthehemi në të kaluarën dhe të servojmë deklarata sikur të ishin bërë sot. Për mua asgjë nuk është e ndaluar që të debatohet në Kuvend, të diskutohet dhe së bashku të sjellin vendime për ardhmërinë e të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë. Të gjithë ata të cilët janë kundër kësaj forme janë anarkistë të cilët e rrezikojnë qetësinë dhe jetën e çdo qytetari”, tha Sela.

Në takim, siç tha ai, diplomatët e Brukselit kanë konfirmuar se nevojitet urgjentisht të formohet Qeveria, që të vazhdohet rruga e euro- integrimeve. Ai theksoi se presidenti Ivanov nuk ka të drejtë të ketë mendim personal, por se duhet ta respektojë Kushtetutën.

“Presidenti i shtetit nuk ka të drejtë në mendim personal, por vetëm ta zbatojë Kushtetutën. Ivanov mund të ketë jo vetëm një, por qindra qëndrime personale. Si president i shtetit ai nuk ka të drejtë në qëndrim personal për mandatin, por është i obliguar t’ia japë atij që do të sigurojë shumicë prej të paktën 61 deputetëve. Mendoj se duhet të përfundojë Seanca konstituive e Kuvendit, të zgjidhet  kryetari i Kuvendit dhe pastaj të informohet presidenti Ivanov se ka shumicë. Pastaj mund të presë 10 ditë për të dhënë mendim pozitiv. Sipas Kushtetutës nuk ka të drejtë të mos e japë mandatin dhe pas 10 ditësh lirshëm mund të votohet për qeveri dhe nëse dikush ka diçka kundër mund të drejtohet deri te Gjykata Kushtetuese dhe kjo Gjykatë të vendos”, saktëson Sela.

I pyetur nëse në takim është biseduar për miratimin e sanksioneve nga BE, Sela tha se për këtë s’është biseduar.

“Nuk shoh arsye pse Han do të fliste me ne për sanksione, besoj se duhet të flasë për sanksione me ata që çdo ditë punojnë që të kemi krizë. Ai që krijon kaosin, e kontrollon kaosin”, tha Sela.

Euro- komisari Han dhe treshja Uajgl, Kukan dhe Flekenshtajn për momentin janë në takim me liderin e BDI-së, Alui Ahmeti e më pas do të takohen edhe me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev dhe liderin e VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski. Sipas agjendës paraprake, Han pas takimeve është dashur të jep deklaratë para përfundimit të vizitës, por sipas informatave të fundit, në vend të kësaj, euro- komisari dhe euro- deputetët do të dalin me deklaratë të përbashkët.

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.