fbpx

Gjykatësit nuk i pranojnë portalet si media në rastet për shpifje dhe ofendim

-

Paditë në Gjykatën Themelore Shkup 2 Shkup për rastet për shpifje dhe ofendim, ku njëra palë është gazetar që punon në medie onlajn, refuzohen me arsyetimin se “portali nuk ka legjitimim pasiv”. Me këtë, gjykatësit praktikisht nuk i pranojnë portalet si media. Mirëpo, për disa gjykata të tjera, si për shembull ato të Ohrit dhe të Manastirit, nuk ka dilemë se a janë portalet media ose jo, dhe ato i procesojnë këto padi. Ish-gjykatëset në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg, Margarita Caca Nikollovska dhe Mirjana Llazarova-Trajkovska thonë se praktika gjyqësore e kësaj gjykate sa i përket mediave onlajn i ka standardet dhe parimet e njëjta sikurse edhe për mediat e tjera.

Milena Atanaskoska Manasieva – PINA

Gjykatat kanë praktika të ndryshme për atë se a janë mediat onlajn mjete për informim publik ose jo kur vendosin për rastet për shpifje dhe ofendim. Një pjesë e gjykatave i pranojnë portalet si media, e disa të tjera, jo.

Dallimi në pranimin apo mospranimin e tyre mund të jetë padia e pranuar ose e refuzuar për shpifje dhe ofendim. Dekriminalizimi i shpifjes dhe i ofendimit nuk e zgjodhi problemin në mënyrë magjike, por krijoi problem të ri. Paqartësitë e këtilla juridike i shfrytëzojnë edhe vetë gazetarët dhe pronarët e portaleve që t’i shmangen përgjegjësisë për shpifje dhe ofendim.

PINA arriti deri në së paku tetë aktgjykime të cilat tregojnë se në dy vitet e fundit, paditë në Gjykatën Themelore Shkupi 2 për rastet e shpifjes dhe ofendimit në të cilat njëra palë është gazetar që punon në medie onlajn, refuzohet me arsyetimin se portali nuk ka të ashtuquajtur “legjitimim pasiv”. Gjykatësit praktikisht nuk i pranojnë portalet si media. Me këtë trend delegjetimizohen një numër i madh i mediave në Maqedoni.

Sipas të dhënave të SHGM-së, paditë për shpifje dhe ofendim ndaj gazetarëve dhe mediave janë zvogëluar pas dekriminalizimit të shpifjes dhe ofendimit. Vitin e kaluar ka pasur 39 raste, në vitin 2016 ka pasur 40 raste, që është shumë më pak se sa në vitin 2012 kur janë regjistruar 330 padi. Ata thonë se, në përgjithësi, trendi është se ka gjithnjë e më pak raste të shpifjes dhe të ofendimit kundër gazetarëve, dhe si rezultat i kësaj, shpifja dhe ofendimi më pak përdoren si instrument për të bërë presion mbi gazetarët dhe mediat. Mirëpo, potencojnë se gjysma e rasteve që ekzistojnë në këtë moment janë gazetar kundër gazetarit, që tregon se duhet punuar për përmirësimin e solidaritetit ndërmjet kolegëve.

Njëri nga aktgjykimet për shpifje ku gjykata e ka refuzuar padinë për shpifje për shkak se ka konstatuar se ueb-portali nuk është medie është aktgjykimit “P5-53/15” i Gjykatës Themelore Shkup 2 në Shkup. E paditur ka qenë një medie onlajn që ka publikuar tekstin me titull “A është ky çifti i ambasadorëve dashnorë?”. Paditësja ka kërkuar dëmshpërblim prej 10.000 eurosh, mirëpo gjykata e ka refuzuar padinë për dy arsye – e para për shkak se nuk ka mundur të dëshmohet se a është i padituri autor i tekstit, dhe e dyta, sepse ueb-portali në fakt “nuk është medie me strukturë të qartë të redaksisë”. Në arsyetimin e aktgjykimit shkruan:

Portali, gjegjësisht ueb-faqja në internet si publikim elektronik paraqiste medie sipas nenit 2, paragrafi 1 dhe 3 të Ligjit për media (“Gazeta zyrtare nr. 184/13) deri kur hynë në fuqi ndryshimet e datës 23 janar të vitit 2014, ku publikimet elektronike u fshinë si të tilla. Prandaj, portali nuk paraqet medie dhe ai nuk ka as politikë redaktuese, e as kryeredaktor. Kjo do të thotë se pa marrë parasysh se në ueb-faqen e portalit personi M.S. është shënuar si kryeredaktor (pronar), ai në momentin e publikimit të tekstit me të cilin ka të bëjë kjo lëndë, nuk ka mundur ta ketë këtë funksion në bazë të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për media, dhe për këto arsye i padituri nuk mund të legjitimohet në mënyrë pasive në këtë procedurë as në cilësinë e kryeredaktorit të portalit.

Këtë praktikë të re gjyqësore na e konfirmuan edhe disa avokatë, si dhe nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).

–  Refuzimi i padive nga ana e gjykatës civile në Shkup, është rezultat i ndryshimeve të Ligjit për media të vitit 2014, me ç’rast janë fshirë publikimet elektronike dhe ato nuk paraqesin mjet për informim publik siç paraqesin medieat tradicionale, si p.sh. shtypi, televizioni, radioja – thotë avokati Ivan Breshkovski.

Rrezik për gazetarët – mund të përgjigjen për shpifje si persona fizikë Sipas tij, gjykatat duke u bazuar në atë ligj, konsiderojnë se portalet në internet nuk publikojnë përmbajtje që i nënshtrohet politikës redaktuese, dhe sipas kësaj nuk i nënshtrohen përgjegjësisë për shpifje dhe ofendim. – Thënë profesionalisht, gjykatat konsiderojnë se portalet nuk janë të legjitimuara në mënyrë pasive, dhe me këtë arsyetim i refuzojnë paditë. Nuk i pranojnë si media, dhe me këtë nuk i nënshtrohen përgjegjësisë për shpifje dhe ofendim. Kur është në pyetje ndonjë medie onlajn, të gjitha paditë refuzohen – sqaron Breshkovski. Edhe nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë na e konfirmuan këtë praktikë gjyqësore që është karakteristike për Gjykatën Themelore Shkup 2. Ata konsiderojnë se ky është një moment negativ në proceset për shpifje dhe ofendim. Qëndrimi i SHGM-së është se në këtë mënyrë, gjykata i vë në pozitë diskriminuese gazetarët, redaktorët dhe të gjithë ata që punojnë në mediat onlajn, për shkak se në atë rast dëmi potencial material mund të jetë shumë më i madh se sa që parasheh ligji. Avokati Breshkovski sqaron se ka rrezik në qoftë se konstatohet se kush e ka shkruar tekstin në ueb-faqen e dhënë dhe ai të përgjigjet si person fizik, e jo si gazetar. – Në Ligjin për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe ofendim është përcaktuar se sa është dënimi me para që mund t’u shqiptohet gazetarëve, sa redaktorëve e sa mediave, gjegjësisht 2.000, 10.000. 15.000 euro. Mirëpo, Gjykata nuk udhëhiqet nga kjo dhe për shkak se gazetarin e konsideron si person fizik, dënimi mund të jetë shumë më madh – thotë ai. Bashkëbiseduesit tonë potencojnë se kjo praktikë gjyqësore nuk është as në përputhje me Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut, e poashtu konsiderojnë se neni 11 i Ligjit për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe ofendim nuk është respektuar nga ana e gjykatës.

– Gjykata, për shembull, asnjëherë nuk ka bërë problem për gazetarët që vijnë nga gazetat apo mediat e shtypura, ndërsa deri në dhjetor të vitit 2014 nuk përmendeshin në asnjë ligj. Mirëpo, asnjëherë nuk ka pasur dyshim se a janë ata gazetarë apo se a është shtypi medie. Tani dikush e konteston legjitimitetin e mediave – thotë Dragan Sekullovski nga SHGM-ja.

Edhe dy gjykatëse të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg na deklaruan se ky mospranim i mediave në internet nga ana e disa gjykatësve nuk është gjë e mirë. Gjykatësja Margarita Caca Nikollovska konsideron se liria e të shprehurit është e lidhur për shumë subjekte që mund të shprehen lirshëm, e një prej tyre janë personat që bëjnë mbledhje dhe transmetim të informatave. – Nuk e kam të qartë se prej ku e kanë nxjerrë përfundimin se mediat onlajn nuk janë medie dhe se ato nuk i nënshtrohen të drejtës për liri të të shprehurit – thotë Nikollovska. Ajo konsideron se nuk duhet të bëhet dallim ndërmjet asaj se personi që mbledh dhe pastaj i transmeton këto informata a është nga medie e shtypur, medie në internet, apo informatat i prezanton në ndonjë mënyrë tjetër.

– Absolutisht nuk është me rëndësi, për shkak se edhe ky person i ka të drejtat e lirisë së të shprehurit në përputhje me nenin 10 të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut. Në nenin 10 nuk thuhet gazetarë që janë raportues ose gazetarë që shkruajnë ose janë ndonjë lloj tjetër i gazetarëve. Kjo praktikë gjyqësore sjell rreziqe në aspekt të asaj se mund të mos respektohet e drejta e lirisë së të shprehurit të mediave në internet – konsideron Nikollovska.

Gjykatësja Mirjana Llazarova-Trajkovska sqaron se praktika gjyqësore e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut i ka standardet dhe parimet e njëjta si për mediat në internet ashtu edhe për mediat e tjerat. – Për shkak se shpifja dhe ofendimi janë të lidhura me të drejtën për privatësi, kjo do të thotë se gjykatat nacionale patjetër duhet të udhëhiqen nga i ashtuquajturi tekst tripalësh i Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriu, i cili parasheh që ato ta marrin parasysh qëllimin legjitim për kornizën ligjore dhe a ka qenë e domosdoshme që të intervenohet në një shoqëri demokratike – konsideron Llazarova Trajkovska. Ish-gjykatësja e Gjykatës në Strasburg, sqaron se kur bëhet fjalë për shpifje dhe ofendim, kjo gjykatë i merr parasysh ligjet nacionale dhe si është e rregulluar kjo problematikë me ligjet nacionale. Sipas saj, fakti se një kategori e caktuar e mediave nuk janë të mbuluar me legjislacion, siç është ky rast, mund të jetë shkak që të inicohen procedura për ndryshimin e legjislacionit. Mirëpo, ajo potencon se gjykatat, megjithatë, duke e shfrytëzuar praktikën e Gjykatës në Strasburg, sipas analogjisë, duhet t’i zbatojnë standardet dhe parimet e njëjta edhe ndaj mediave në internet.

– Ato janë media që transmetojnë informata dhe shpeshherë informata përhapet shumë më shpejt dhe diapazoni i kontrollit të shpifjes dhe ofendimit të thënë është shumë më i vështirë në krahasim me mediat e tjera. Konventa evropiane është burim i të drejtës dhe ajo krijon obligime ndaj vendit tonë, të cilat gjykatat nacionale duhet t’i respektojnë – thtoë Llazarova Trajkovska.

Vitin e kaluar në Maqedoni janë regjistruar gjithsej 18 sulme ndaj gazetarëve, nga të cilat 13 sulme fizike dhe verbale, ndërsa të tjera ofendime, pengesë në punë dhe shkatërrim i pronës. Këto numra i prezantoi SHGM-ja në Raportin për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoni për vitin 2017.

Nuk është përmendur emri, mirëpo paditësi e ka vërejtur se bëhet fjalë për veten e tij

Nëse analizohen aktgjykimet e gjykatave të tjera në vend mund të vërehet se ato kanë sjellë vendime ndryshe nga gjykatësit e Gjykatës themelore Shkup 2. Disa aktgjykime nga Ohri dhe Manastiri flasin se kur bëhet fjalë për padi ku njëra nga palët është gazetar nga ndonjë medie në internet, ata e pranojnë atë si mjet për informim publik.

I tillë është shembulli me aktgjykimin e shkallës së parë të sjellë në Gjykatën Themelore në Ohër, e cila i pranon portalet në internet si media. Rasti ka të bëjë me tekstet e publikuara në vitet 2012 dhe 2013, ndërsa aktgjykimi në ueb-faqen e sistemit për publikimin e aktgjykimeve sud.mk është vendosur në mars të vitit të kaluar. Me aktgjykimin gjykata e ka dënuar gazetarin e një ueb-faqeje me gjobë me para në vlerë prej rreth 4.000 eurosh, edhe pse paditësja ka kërkuar 10.000 euro.

Kjo është një pjesë e arsyetimit të aktgjykimit:

Në edicionin elektronik të ueb-faqes kanë publikuar tekst ku janë plasuar gënjeshtra dhe ofendime, e që kanë të bëjnë me paditësin duke e quajtur atë “skandalmen” dhe se ka pasur “sjellje të tiranit”, me të cilat qëllimi ka qenë që paditësi të ofendohet dhe të nënçmohet, me çka është shkelur nderi dhe dinjiteti i tij, si dhe karriera profesionale si profesor universitar dhe kryetar i degës së partisë politike, ndërsa paditësit e kanë ditur dhe e kanë pasur për obligim ta dinë se publikojnë fakte që janë të pavërteta.

Në një pjesë të mbrojtjes së tij, gazetari i paditur ka deklaruar se ueb-faqja në fakt është blog. Megjithatë, gjykatësi në aktgjykim ka shënuar se: “Gjykata i vlerësoi pretendimet e të paditurës së parë se: media elektronike në fakt nuk ka qenë portal, por se ka qenë portal për blogim, të cilin mund ta hapë çdokush, mirëpo gjatë marrjes së vendimit, Gjykata nuk i pranoi këto pretendime. Nga ana tjetër, në bazë të nenit 6 paragrafi 3 të Ligjit për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe ofendim, forma e medies nuk është vendimtare, por fakti që ai të jetë i formësuar me redaksi. Ky aktgjykim nuk është i plotfuqishëm”.

Avokati që e udhëheq këtë rast, Llazar Sandev thotë se është e paqartë se pse gjykata e ka dënuar personin juridik që e ka publikuar këtë dhe gazetaren në mënyrë solidare me 250.000 denarë.

– Sipas Ligjit nuk mund të jetë kështu, për shkak se atje thuhet “ai që do të bëjë shpifje, e jo ata që do të bëjnë shpifje”. Patjetër duhet të konstatohet se cilat veprime kush i ka ndërmarrë, nuk mundet të gjithë së bashku të jenë fajtorë. Është parashtruar ankesë për këtë aktgjykim, mirëpo rastin e mori gjykatës i ri, dhe do të shohim se çka do të ndodhë – thotë Sandevi.

Gjykata në Strasburg i pranon mediat onlajn

Çfarë rreziqesh sjellin vendimet e gjykatave me të cilat nuk pranohen mediat onlajn? A është kjo ofendim edhe për gazetarët dhe redaktorët që punojnë në portale? Shumë njerëz thonë, po.

– Gjithsesi se është ofendim për gazetarët dhe redaktorët. Inkurajohen gazetarët të shkruajnë çka të duan, e realisht nëpërmjet portalit në internet dikujt mund t’i shkaktojë dëm të mëdh mbi nderin dhe dinjitetin, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për person fizik ose juridik – thotë avokati Breshkovski, i cili potencon se kjo praktikë gjyqësore është diskriminuese për shkak se nuk mbrohen sa duhet të drejtat personale dhe qytetare të personave të dëmtuar.

Pse gjykatësit nuk i pranojnë mediat në internet si mjete për informim publik pyetëm edhe në Gjykatën themelore Shkup 2 Shkup. Prej atje na u përgjigjën se në lidhje me pyetjen tonë, qëndrimi i gjykatës është jorelevant për arsye se gjykata gjykon dhe vendimet e saj i bazon në Kushtetutë, në ligjet dhe marrëveshjet e ratifikuara ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën:

Në procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë qytetare për shpifje dhe ofendim dhe kompensim të dëmit, gjykata e zbaton rregullativën pozitive ligjore në këtë fushë, e veçanërisht dispozitat e Ligjit për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe ofendim, Ligjit për media, si dhe dispozitat e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për media. Në fakt, dispozitat ligjore, janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, dhe në të gjitha është eliminuar cili do lloj i diskriminimit sa i përket zbatimit dhe vlefshmërisë së tyre për ndonjë person fizik ose juridik, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për gazetar, redaktor apo medie.

Avokati Breshkovski, shton se gjykatat nacionale duhet t’i marrin parasysh edhe vendimet e organeve vetërregullatore të mediave, si për shembull Këshillit të nderit të SHGM-së dhe Këshillit për etikë në media.

– Ata asnjëherë nuk e kanë kontestuar faktin se mediat në internet janë media – thotë ai.

Shënon rënie numri i padive ndaj gazetarëve

Avokati Llazar Sandev, thotë se e mbështet palën që thotë se portalet nuk janë mjete për informim publik. Thotë se kjo është mbrojtja e tyre kur kanë ndonjë rast me ndonjë portal, pa përjashtim.

Gjykatësit kryesisht i refuzojnë kërkesat për padi për shkak se pronarët e portaleve në internet nuk kanë legjitimim pasiv, gjegjësisht nuk posedojnë mjete për informim publik dhe për shkak të kësaj nuk mund të mbajnë përgjegjësi siç është paraparë me ligj. Prej vitit 2014, kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet, kemi pasur rreth pesëdhjetë raste të këtilla – thotë Sandevi.

Portali “Libertas” në tre vitet e fundit ka pasur dhjetëra padi për shpifje dhe ofendim. Kryeredaktori, Aco Kabranov, thotë se kanë mbetur të pazgjidhura edhe dy raste, ndërsa të tjerat gjykata i ka refuzuar si të pabaza.

– Është e vërtetë se disa gjykatës i refuzojnë lëndët me arsyetim se sipas ligjit portalet nuk janë medie. Në rastet në të cilat ishte paditur portali “Libertas”, gjykatësit megjithatë i shqyrtonin këto raste, gjegjësisht nuk e përdornin faktin se ligjërisht nuk jemi medie – thotë Kabranov.

Ai shton se për shkak se ligji është i tillë, portalet nuk janë futur si media, dhe për shkak të kësaj as gazetarët nuk kanë status të gazetarëve.

Kabranovi konsideron se me paditë bëhet presion-frikësim që të mos shkruhet për tema të caktuara.

– Këtë e bëjnë jo vetëm politikanët dhe biznesmenët, por edhe kolegët tanë gazetarë – thotë Kabranovi.

Edhe avokati Sandev thotë se në dy-tre vitet e fundit ka rënie të padive ndaj gazetarëve. Tani kanë 11 lëndë aktive, ndërsa më parë kanë pasur edhe me qindra.

 

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.