Tym i dendur ngjyrë hiri në distancë vjen nga lagja në rrëzë të Kalasë, ku jemi drejtuar bashkë me ekipin e Inspektoratit të qytetit. Është ky vendi, në të cilin gjatë këtij dimri disa herë është vejtur se diçka po digjet, e më pas erë e keqe e gomës dhe plastikës së djegur është përhapur përgjatë luginës së Vardarit. Në ditët e ftohta dhe me mjegull, era e mbeturinave të djegura u bë pjesë e atmosferës së përditshmërisë së mundimshme për qytetarët e Shkupit, njofton Meta.mk

Derisa lëkundeshim në makinën Lada Niva, nëpër rrugën me gropa, ekipi inspektues i qytetit, i përbërë nga një inspektor komunal dhe gardian komunal, na e shpjegon punën e tyre në terren, kur kryejnë kontrolle të rregullta në pikat ​​e shumta të zeza në periferi të qytetit, duke kërkuar zjarre të ndezura. “Në terren dalim edhe pas raportimeve nga qytetarët në telefonin 193, ndërsa ky është një nga vendet për të cilat më së shpeshti raportohet se ka tym”, thotë inspektori Aco Petrushev, duke shtuar se  tymi shpesh vjen nga zjarret në shtëpizat me arnime të romëve, të cilët vite me radhë jetojnë në këtë vendbanim të egër, por inspektorët s’kanë të drejtë të ndërhyjë në raste të tilla, edhe pse janë të vetëdijshëm se në koftorët e improvizuar digjen mbeturina të ndryshme të plastikës dhe gomës.

7.
Kabllo prej të cilëve nxirret bakri ilegalisht digjen nën Kala përballë Parkut të Qytetit, në bregun e Vardarit

Të zënë në flagrancë duke kryer veprën

Na vërejtën nga distanca, na presin dhe menjëherë na rrethojnë disa banorë të vendbanimit të egër, kryesisht burra. Ka edhe fëmijë të moshës shkollore, por asnjëri nuk shkon në shkollë, thonë ata. “Ja, sa ikën pak më parë ata që djegin zjarre, si nuk erdhët pak më herët që t’i shihni ata të cilët i djegin kabllot për bakër edhe atë shumë afër shtëpive tona, iu drejtohet inspektorëve Qamurani një i ri me mjekër të kultivuar, me një vath që shkëlqen dhe smartfon që mund të shihet nga xhepi i xhaketës. “Ne bëjmë selektimin e letrës dhe jetojmë nga ajo punë, fitimi është i vogël, një denar për kilogram, por duhet bërë diçka për të jetuar”, thotë ai. Në vendin ku para dhjetë minutash diçka po digjej, tani mund të shihej zjarr i fikur.

Djegia e kabllove për të marrë telin e bakrit, i veshur me plastikë, është një nga bizneset me fitimprurëse në selektimin e mbeturinave që zhvillohet në qytet. Kur t’u vihet zjarri, këto kabllo digjen shpejt, por prodhojnë tym të dendur, të errët, jashtëzakonisht toksik dhe me rrezik për jetën nëse thithet direkt. Një kilogram bakër, i fituar në këtë mënyrë, në tregun e zi kushton mes 200 dhe 300 denarë, ndërsa një grup i “recikluesve” të egër të kabllove mund të fitojnë edhe deri në 2-3000 denarë në ditë. Natyrisht, shumica e kabllove vijnë në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet vjedhjeve, që është punë për policinë.

“Aa, po çfarë policie, po ata kanë qenë këtu me qindra herë, i kapin në flagrancë dhe vetëm u thonë-merre bakrin dhe ik, shporru,” bën gjeste me dorë një i ri kur i pyeta përse nuk e thërrasin policinë, nëse me të vërtetë dikush tjetër vjen dhe i djeg mbeturinat aty. “Ne i dimë, ata janë nga “Ranka Millanoviq” (një prej objekteve për akomodimin e familjeve rome nga vendbanimet e egra, v.j.) vijnë shufra, duan të përleshen, na bëjnë probleme”

deca-od-deponija-vardarishteNdërkohë që po bënim muhabet, prapa nesh, nja 50 metra larg u parkuar një furgon me targa të Gostivarit. “Ja ku janë, do të përpiqemi t’i befasojmë, futuni në makinë”, na tha në mënyrë diskrete inspektori Ace. U përshëndetëm shpejtë-e-shpejtë me bashkëbiseduesit dhe vazhduam në rrugën përgjatë Vardarit drejt Momin Potokut. E rrisim shpejtësinë për ta bërë rrethin përgjatë bulevardit Nikolla Karev që t’i dalim furgonit nga prapa. Nga kodra nën Ambasadën e SHBA-ve mund të shihet tymi tipik rreth lumit. Ata që i kishin ndezur kabllot i befasojmë në vlugun e “biznesit”. Grumbulli nuk është djegur ende, por bakri, i skuqur nga zjarri, shihej fare mirë. Era dhe djegia është si ngjitës, ndërsa frymëmarrja është pothuajse e pamundur. Njëkohësisht, në anën e kundërt të Vardarit, në bregun e lumit, shihen njerëz si ushtrojnë në veglat për rekreacion, çiklistë të cilët tejkalohen.

deca-od-deponija-vardarishte1

Rreth i veçantë i ferrit

Më i befasuari, me sa duket është pikërisht Qamurani, djaloshi me vath, i cili na bindte se dikush tjetër kishte djegur mbeturina para shtëpisë tij dhe po ia helmonte fëmijët. I turpëruar tërhiqet mënjanë dhe hesht. Gruaja të cilën e gjetëm te kabllot e djegura u lëshua në ofensivë. Bërtet pas inspektorit dhe e kërcënon, duke u përpjekur t’i kapë kabllot gjysmë të djegur, për të shpëtuar bakrin. “Largohu, do të të godas!” kërcënon ajo. “Çfarë mendon, kush je ti?”. Përpjekja për të legjitimuar atë dhe burrin me mjekër, i cili padyshim ishte bashkëpunëtor dështon. “S’kemi letra njoftimi, ik që këtej!” “Në raste të këtilla, e thërrasim policinë që të ndërhyjë,” thotë inspektori. Duke u thyer i takuam “Alfat”. Na ndalojnë për t’iu shpjeguar se çfarë kishte ndodhur. Duke bërtitur u themi të nxitojnë, se ashtu do të mund t’i kapin autorët, ndërsa ne u drejtuam kah ish deponia qytetit Vardarishte.

4.
Vathi dhe telefoni celular në kontrast me erën e keqe: Qamurani udhëheq me blerjen e letrës së hudhur dhe thotë se nuk di asgjë për djegien e kabllove

Lagja Rome në buzë të Vardarishtes duket se është disa rrathë nga ferri më poshtë se situata e tmerrshme në të cilën jetojnë njerëzit në rrëzë të Kalasë. Shtëpiza të vogla, me arnime dhe shumë baltë, e përzier me mbeturina, na presin që në fillim. Rrobat e njerëzve janë hedhura, fëmijët gjysmë të zhveshur, me këpucë të shqyera. Në lagjen, që ndodhet afër ish TV A1, janë lidhur me energji elektrike në mënyrë të egër, ndërsa para disa shtëpive shihen gypa nga të cilët rrjedh ujë. Megjithatë, mbizotërojnë improvizime të dobëta të shtëpive të banimit, për të cilat fjala sub-standard është nënvlerësim i shëmtuar i realitetit. Kërkimi nëpër mbeturina, në mes të cilave jetojnë, ndonjëherë rezulton në ndonjë copë plastike ose metal që mund ta shesin. Pjesa tjetër që nuk u nevojitet digjet. Mbizotëron era e plastikës së djegur, por edhe e mbeturinave tjera. A e dinë ata se ky tym i helmon edhe ata edhe fëmijët e tyre, i pyes. E dimë, por me çka të ngrohemi? Duhet të mbijetojmë!, thonë ata.

“Ore, çfarë shkuarje në shkollë, ne s’kemi bukë për t’u ushqyer”, me zemërim përgjigjet një burrë në moshë mesatare që prezantohet si Zenun Çakolli dhe më kërkon ndihmë për pesë fëmijët e tij, prej të cilëve njëri është shumë i sëmurë. Pa fuqi për të bërë diçka pyes përse nuk e dërgojnë te mjeku ose të thërrasin Ndihmën e shpejtë pasi është aq keqe. Në shtëpizën e lakuar, në dysheme janë të ulur tre fëmijë të moshës 5-6 vjeç dhe shikojnë TV. Në tavën madhe kanë mbetur copa buke. Ua la disa çokollata dhe biskota dhe e turpëruar largohem.

8.
Të habitur dhe zemëruar: Njerëzit nga furgoni që i takuam në vendin e ngjarjes dhe duke djegur kabllo

Zona e errët e qytetit

Deponia e dikurshme fillimisht ka qenë e rrethuar parë me gardh teli, por tani nuk ka gjurmë, kështu që pothuajse kushdo mund të hyjë dhe të lëvizë nëpër hapësirën ​​e madhe, e cila nuk është re vitalizuar dhe nuk është pa mbuluar kurrë, për të hedhur mbeturina urbane. Sot përdoret për depozitim, të paligjshëm, të çdo lloj mbeturine, por përshtypja është se shteti pothuajse s’ka fare kontroll se çfarë në fakt ndodh atje, pavarësisht patrullimeve dhe inspektimeve të rregullta. Thjesht, kjo hapësirë është zonë e errët në periferi të Shkupit.

Inspektorët përshëndesin banorët e këtij vendbanimi, njihen prej vitesh. “E njoh çdo pëllëmbë të Vardarishtes dhe njerëzit atje, sepse jetoj në afërsi”, thotë Ace. Para do kohe, në bashkëpunim me Komunën e Gazi Babës, pikërisht në Vardarishte u kap sasi e madhe e gomave të hedhura, që janë djeg, si dhe tela të bakrit, por tel ka pak dhe ajo punë nuk u shpaguhet. Shpesh, janë persona me vartësi, të cilët në çdo mënyrë përpiqen të marrin ndonjë qindarkë. Pastaj mbeturinat digjen nën urën hekurudhore, larg dëshmitarëve të mundshëm.

18.
Jeta rrjedh më tej: Rrobat e pastra të vendosura në afërsi të tymit dhe erës së keqe nga mbeturinat e djegura

Gomat, por edhe mbeturinat e tjera, të cilat ata nuk mund t’i shesin, kryesisht i djegin për ngrohje. “Ja atje, në atë kodër, kemi pasur një pritë të natës,” tregon inspektori, por rreziku që automjeti ynë të thyhet është i madh, shton ai. Patrullimin e rrumbullakojmë rreth Vardarit, bregu i të cilit, me sa duket a qenë i pastruar relativisht shpejtë nga mbeturinat dhe tani është kryesisht i pastër, me përjashtim të një grumbulli të madh të mbeturinave plastike, për të cilin inspektori tha, duket qartë, se ka kaluar nëpër presë për përpunim, por për ndonjë arsye autori i panjohur e ka shkarkuar atë në atë vend. Ndërtesat e Lisiçes së Re, ku kanë filluar të ndizen dritat e para, e që janë vetëm 400-500 metra larg, duken sikur janë pranë dorës sonë por nga një botë krejtësisht tjetër.

 

Autore: Jugosllava Dukovska
Foto: “Kolektif.mk”