Kryesia e Lëvizjes BESA nuk do ta mbështet kandidatin e BDI-së, për kryetar parlamenti, Talat Xhaferi dhe ka marrë vendim që të propozoj kandidat të vet për të parin e Parlamentit, njofton “TV 21”. Zëdhënësi i partisë, Orhan Murtezani nuk zbuloi emra, por sipas informatave jo- zyrtare të partisë bëhet fjalë për Afrim Gashin ose Fadil Zendelin.
“Lëvizja BESA nuk ka marrë vendim për mbështetjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit.Vendimi i fundit i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA është që BESA ta propozojë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit”, shkruajnë nga lëvizja BESA.
Mbrëmë në pyetjen e gazetarëve nëse LSDM do të propozoj kandidat për kryetar parlamenti apo do ta mbështet kandidatin e BDI-së, Jagoda Shahpaska tha se nesër në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit do të njoftohet ajo që do të thotë marrëveshje e 67 deputetëve nga shumica e re parlamentare rreth çështjet kadrovike për kryetar të ri të Kuvendit.
Para dy ditëve, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani deklaroi se Talat Xhaferi do të jetë kandidati i BDI-së për kryetar të Parlamentit dhe se ai ka mbështetjen e shumicës.
Zgjedhja e kryetarit të Parlamentit do të bëhet të hënën, pas emërimit të përbërjes së Komisionit të ri për emërim dhe zgjedhje. Sipas Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, kryetari i Parlamentit votohet me shumicë gjegjësisht 61 votë nga deputetët.