Ahmeti- Timonie: VMRO DPMNE dhe LSDM pa anulim të gjejnë zgjidhje të krizës


       
Shkup, 20 Prill, 2017 - 16:28 (META) 

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti sot në Tetovë ka pasur takim me ambasadorin e Francës në vend, Kristian Timonie ku, siç njoftojnë nga partia, është biseduar për situatën politike në vend, rrethanat gjeopolitike dhe mundësitë për tejkalimin e krizës politike dhe institucionale.

Ahmeti në takim ka shpalosur “të gjitha hapat konstruktiv që BDI i ka marrë për dalje nga kriza ndërsa në përputhje me pritjet e qytetarëve dhe komunitetit ndërkombëtar”.

BDI si parti fituese tek shqiptarët dhe përcaktuese në këtë mandat, i dha përkrahjen vendimtare shumicës së re reformuese parlamentare për të formuar një Qeveri e cila do të zbaton agjendën dhe programin e paracaktuar nga komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet zbatimit të përpiktë të reformave në gjyqësor, rrumbullakësimit të Marrëveshjes së Ohrit, integrimit euroatlantik” ka thënë Ahmeti.

Ai ka njoftuar Timonien se BDI ka vazhduar me përpjekjet shtesë për tejkalimin e krizës dhe se i ka ftuar dy partitë kryesore politike të bllokut maqedonas të përfshihen pa anulim në gjetjen e zgjidhjet për shkak të qetësisë, stabilitetit dhe sigurisë së qytetarëve.

“Çdo vonesë paraqet mundësi për kundërshtarët e rrugës sonë drejt integrimit në NATO dhe BE për të shtruar ndikimin e tyre dhe për të thelluar hendekun midis qytetarëve të vendit tonë” ka thënë më tej Ahmeti në takim me Timonie.