Аdministrata më së paku përgjigjet në pyetjet e gazetarëve


       

Ka nevojë reale për ndryshimin e Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik edhe pse më problematik është zbatimi i tij se sa vetë ligji – u konstatua në debatin e sotëm publik për këtë ligj, të cilin e organizoi Ministria për Drejtësi.

Ligji duhet të ndryshohet në aspekt të afateve, në përjashtimin për të mos dhënë informatë, dhe në kompetencat që i ka Komisioni për mbrojtjen e kësaj të drejte, u theksua në debatin që u mbajt në Shkup.

Sipas numrave statistikorë që u prezantuan, administrata më së shumti i shmanget kësaj të drejte kur bëhet fjalë për mediat.

– Në qoftë se gazetarët parashtrojnë pyetje, përqindja e përgjigjeve nga administrata është rreth 37 për qind, ndërsa nëse këtë e bëjnë qytetarët, atëherë përqindja është 50 për qind, e në qoftë se pyet ndonjë organizatë joqeveritare, atëherë administrata përgjigjet në mbi 70 për qind të rasteve – deklaroi German Fillkov nga Qendra për iniciativa qytetare, duke i theksuar përvojat e tyre, të cilat janë të mëdha, për shkak se për çdo vit u parashtrojnë rreth 1.000 pyetje institucioneve dhe poseduesve të informatave me karakter publik.

Numrat tregojnë se ka nevojë për ndryshim të ligjit, deklaroi Tamara Çausidis nga Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë, duke përkujtuar se SPGPM-ja dhe katër organizata të tjera gazetareske këtë kërkesë edhe zyrtarisht ia kanë dërguar qeverisë që para disa muajsh.

Kryetari i Komisionit për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, Gjorgji Sllamkov, deklaroi se Komisioni, poashtu, ka vërejtje në lidhje me ligjin, edhe atë në tre aspekte – në pjesën normative të ligjit, në afatet për veprim dhe në kompetencat e Komisionit dhe kapacitetet e Komisionit.

Ai potencoi se Komisioni ka mbetur vetëm me tre anëtarë, ndërsa për t’i respektuar afatet e ligjit dhe për shkak të numrit të madh të kërkesave, ata mbajnë mbledhje për çdo javë gjatë gjithë vitit.

Sllamkovi theksoi se sa i përket administratës, më së miri flet informata se prej rreth 700 ankesave gjatë vitit, mbi 500 kanë qenë në lidhje me heshtjen e institucioneve.

 

foom-logo-disklejmerfoom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.